Në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë një ofertë partive të opozitës, PDK dhe LDK, që deri të dielën në mbrëmje të propozojnë tre kandidatë jopolitikë për president të vendit.
Vetëvendosje thotë se në këtë mënyrë do të tërheqë dy kandidatët e saj për të mos lejuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Katër ditë nga skadimi i afatit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka bërë një hap pas. Një mbledhje e kryesisë, e zhvilluar mbrëmjen e së premtes, vendosi që t’u drejtohet me një ofertë dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, duke u kërkuar atyre që të sjellin brenda 48 orëve tre kandidatë jopolitikë.
Lëvizja Vetëvendosja: “Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike. Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, si dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.”
Vetëvendosje thotë se Kosovës nuk i nevojiten zgjedhje të reja, ndaj është e nevojshme dalja nga kjo situatë. Oferta e Vetëvendosjes për të pritur kandidatë nga opozita është deri të dielën në mbrëmje, ndërsa afati kushtetues skadon të martën. Nëse nuk do të ketë konsensus, vendi duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditëve.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 