Janë dyshja e pandashme e politikës në Kosovë, por një takim pa Albin Kurtin në krah i duhet ta zhvillojë së shpejti Vjosa Osmani.
Pretendentja për presidente mbetet të thërrasë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun në takim konsultues.
Aty do flitet kryekëput se si do jetë qasja e LDK-së me 15 deputetë në ditën kur në Kuvend të vijë votimi i shefit të ri të shtetit.
Në seancën për presidentin medoemos duhen 80 ligjvënës të jenë pjesëmarrës.
Në një konferencë për gazetarë pasi që u votua për kryeqeveritar të hënën vonë, Albin Kurti tha se pa shumë shtyrje legjislatura e tetë duhet të mblidhet e të votojë Vjosa Osmanin presidente, sepse siç thotë kryeministri i ri Kosovës, nuk i duhet krizë e re politike.
“Vjosa Osmani ka marrë mbi 300.000 vota, ajo e ka besimin e popullit dhe pa vonesa duhet të votohet në Parlament për presidente”, tha Kurti.
Ndërsa ambasadorët e pesë vendeve më të fuqishme të botë të akredituar në Prishtinë, lëshuan deklaratë të përbashkët po për të njëjtën temë.
Franca, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania e Britania e Madhe, përgëzojnë për votimin e përbërjes së re të Qeverisë e Kuvendit, veçse përkujtojnë detyrën e votimit kryetarit të vendit.
“Në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën. Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita e qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri”, thuhet në njoftimin e përbashkët.
Njëri nga ata që dërguan këtë deklaratë publike është ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde. Ai për çështjen e zgjidhjes së presidentit të ri foli ekskluzivisht për Klan Kosova.
“Është e zorshme të parashihet e ardhmja. Por unë dhe kolegët e mi e kemi bërë të qartë se populli ka votuar përfaqësuesit e tij për të kryer punët e tyre. Kjo do të thotë të jenë në Kuvend. Kundërshtimi është në rregull, por jo edhe obstruksioni”, deklaroi Rohde.
Ndërkohë të martën pasdite në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për takim me kryetarin Lumir Abdixhiku e me të njëjtën temë në tavolinë shkoi ambasadori amerikan, Philip Kosnett./klankosova
/tvklan.al












Botërori 2026 
