Pasi dështoi të sigurojë armëpushim treditor për paradën e tij ushtarake, presidenti rus Vladimir Putin iu kthye retorikës së forcës dhe kërcënimit me armë bërthamor.
Në një intervistë për televizionin shtetëror presidenti tha se Rusia ka forcë dhe burime të mjaftueshme për t’i shkuar deri në fund luftës në Ukrainë, megjithëse shpreson të mos ketë nevojë të përdorë armë bërthamore.
Në një dokumentar për 25 vjetorin e Putinin në pushtet me titull “Rusia, Kremlini, Putini, 25 vjet”, presidenti foli pranë një portreti të Car Aleksandrit III, një konservator i shekullit të 19-të që shtypi mosbindjen popullore dhe iu përgjigj gazetarit në lidhje me rrezikun e përshkallëzimit bërthamor nga lufta e Ukrainës.
“Ata donin të na provokonin në mënyrë që të bënim gabime. Nuk ka pasur nevojë të përdoren ato armë… dhe shpresoj se nuk do të nevojiten. Kemi forcë dhe mjete të mjaftueshme për ta çuar atë që filloi në vitin 2022 në një përfundim logjik me rezultatin që kërkon Rusia”, thotë Putin.
Ashpërsimi i retorikës nga Putini vjen pasi Ukraina refuzoi propozimin e tij për armëpushim treditor me rastin e ditës së fitores mbi nanizmin. Madje presidenti ukrainas Zelensky tha se nuk mund të garantojë sigurinë e udhëheqësve të huaj pjesëmarrës në paradë. Megjithatë Zelenskiy tha se armëpushimi me Rusinë është i mundshëm në çdo çast.
“Ne besojmë se armëpushimi është i mundur në çdo Çast, madje duke filluar që sot dhe duhet të zgjasë të paktën 30 ditë për t’i dhënë diplomacisë një shans të vërtetë”, thotë Zelensky.
Diplomacia duhet të funksionojë pasi presidenti Donald Trump ka sinjalizuar prej javësh se është i frustruar nga dështimi i të dy palëve për të arritur marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Të dielën në një intervistë për televizionin NBC Trump ka pranuar se paqja midis Rusisë dhe Ukrainës ndoshta nuk është e mundur.
“Ekziston një urrejtje e jashtëzakonshme, po flasim për një urrejtje midis këtyre dy burrave, Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin, dhe midis gjeneralëve respektivë”, theksoi Trump.
Ai përsëriti se nëse nuk do të ketë përparim në bisedimet e paqes, ShBA-ja do të tërhiqet.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
