Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka komentuar për herë të parë protestën e qytetarëve. Nga aktiviteti për 100-vjetorin e Prefekturës së Tiranës, kreu i shtetit mbajti një qëndrim institucional, duke vënë theksin te respektimi i të drejtave kushtetuese dhe i rendit ligjor.

Begaj deklaroi se qytetarët kanë të drejtë të shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre, por kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarët po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore.

“Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar dhe atë publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë, përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë.”

Kreu i shtetit bëri thirrje për dialog dhe bashkëpunim.

“Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave euroatlantike të vendit.”

Presidenti Begaj e lidhi mesazhin edhe me rolin e administratës publike, duke kërkuar më shumë cilësi në shërbim dhe forcim të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve.

Tv Klan

/tvklan.al