Serwer: Prishtina zyrtare nuk përfiton asgjë

Presindeti serb, Aleksandar Vuçiç, ka komentuar dokumentin e fundit jozyrtar, të ashtuquajturin ‘Non Paper’ për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe me këtë rast ka përsëritur se vendi i tij nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, por ka folur me tone pozitive për zgjidhjet që ofron dokumenti i debatueshëm, përfshirë këtu edhe çështjen e shumëpërfolur të bashkësisë së komunave me shumicë serbe të popullsisë.

Në letër keni plot një faqe, faqen e pestë nga gjithsej 12 faqet, për bashkësinë e komunave serbe, dy shkallshmërinë për serbët, por kush merakoset për këtë, më kollaj është të thuhet se asgjë nuk vlen nëse nuk lexon asgjë. Serbia nuk mund ta pranojë këtë vetëm për shkak të njohjes, kurse për gjithçka tjetër, kurrë nuk do të marrim letër më të mirë. Me këtë rast, e dini se unë nuk jam ndër ata të cilët flasin gjëra të këtilla, për shkak se përherë kam folur se do të marrim letër më të mirë. Serbia nuk mund të pranojë njohjen dhe nuk guxon ta pranojë njohjen, ndërsa për këtë tjetrën, këtë kurrë nuk kanë për të na e ofruar’, tha presidenti serb.

Ndërkaq, profesori i Universitetit amerikan Johns Hopkins, Daniel Server, pajtohet me vlerësimet e presidentit Vuçiç dhe në një analizë në bllogun e tij thotë se ai përfaqëson idetë e Bashkimit Evropian, por se Prishtina zyrtare nga zgjidhjet e ofruara nuk përfton asgjë, as njohje dy palëshe, as anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

“Presidenti Vuçiç ka të drejtë kur thotë se Serbia me këtë fiton më shumë sesa me Planin Ahtisari. Shumë më tepër i ofrohet Serbisë dhe prej saj kërkohet më pak’, shkruan Daniel Server për të përfunduar se ‘Non Paper’- i aktual nuk është kontribut për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në vend të kësaj, njohësi i mirë i rrethanave në rajon ofron një propozim të tijin.

“Vuçiç tha se para zgjedhjeve presidenciale në Serbi, pranverën e vitit 2022, nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Deri atëherë duhet përgatitur terrenin në Bashkimin Evropian, në Serbi dhe në Kosovë, për normalizimin e marrëdhënieve, mbështetur në njohjen e ndërsjellë. SHBA, Britania e Madhe dhe vendet e BE-së të cilat e kanë njohur Kosovën, duhet të intensifikojnë presionin mbi shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën”, shkruan Server duke shtuar se në Serbi duhet të diskutohet më seriozisht për atë se ‘sovraniteti mbi Kosovën u humb nën Milosheviçin dhe se nuk ka për t’u kthyer’, ndërsa në Kosovë duhet të bisedohet si të sigurohet respektimi i të drejtave të serbëve dhe të Kishës Ortodokse Serbe, si dhe se bashkimi me Shqipërinë është një ide e keqe.

Ish-diplomati amerikan duke konstatuar se dialogu Prishtinë-Beograd, nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian, nuk ka shënuar përparim prej tetë vitesh, i njëjti duhet të vazhdojë atëherë kur të dyja palët të jenë konstruktive e jo si deri tani që të minojnë njëra-tjetrën. Server përfundon se SHBA, BE-ja dhe Britania e Madhe nuk guxojnë të pranojnë asgjë më pak se Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Klan Macedonia