02 nëntor 2026- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, zhvilloi të dielën dy tubime elektorale në Iowa dhe Kansas, në kuadër të përpjekjeve të fundit të republikanëve për të siguruar mbështetjen e votuesve përpara zgjedhjeve të mesmandatit, që mbahen të martën, transmeton Anadolu.
Fillimisht, Trump u takua me mbështetësit e tij në Dubuque të Iowws, ndërsa më pas udhëtoi drejt Salinës në Kansas, ku u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për kandidatët republikanë, me synimin për të ruajtur shumicën e partisë në Kongres.
Gjatë fjalimit në Kansas, presidenti amerikan deklaroi se fitorja e republikanëve në të dyja dhomat e Kongresit do t’u mundësonte atyre të vazhdonin zbatimin e politikave të tij, duke theksuar sloganin “Amerika e para”.
Trump renditi disa nga prioritetet e republikanëve, ndër të cilat përfshihen forcimi i masave kundër imigracionit, vendosja e kërkesave më të rrepta për identifikimin e votuesve dhe dëshminë e shtetësisë, si dhe marrja e masave kundër qyteteve që kufizojnë bashkëpunimin me autoritetet federale të emigracionit.
Ai gjithashtu kërkoi dënimin me vdekje për trafikantët e mëdhenj të drogës, personat e përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore dhe ata që shpallen fajtorë për vrasjen e efektivëve të zbatimit të ligjit.
Duke iu drejtuar mbështetësve, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara ndodhen në një periudhë të artë, por nënvizoi se realizimi i këtij objektivi kërkon pjesëmarrjen e qytetarëve në votime.
Në Kansas, presidenti kërkoi gjithashtu mbështetjen për senatorin republikan Roger Marshall, i cili synon një mandat tjetër, si dhe për kandidatin republikan për postin e guvernatorit, Ty Masterson.
“Le të dalim dhe të bëjmë atë që dimë më mirë: të fitojmë”, deklaroi Trump, duke shprehur besimin se republikanët do të dalin fitues në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Në tubim mori pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili vlerësoi politikat e Trumpit në fushën e sigurisë kombëtare. Rubio theksoi se garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe familjeve të tyre është përgjegjësia kryesore e një presidenti, duke pretenduar se administrata aktuale ka arritur rezultate të rëndësishme në këtë drejtim.
Ai shtoi se nën udhëheqjen e Trumpit, SHBA-ve është bërë më e fuqishme, qytetarët janë më të sigurt dhe kundërshtarët e vendit në arenën ndërkombëtare janë dobësuar.
Zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit pritet të përcaktojnë përbërjen politike të Kongresit amerikan dhe kontrollin mbi dy dhomat e tij. Në këto zgjedhje do të votohen të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 vende në Senat.
/tvklan.al












Botërori 2026 
