Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi shtyrjen e takimit të G7 që pritej të mbahej muajin tjetër, për në Shtator ose më vonë gjatë vitit. Ai tha gjithashtu se do të zgjeronte listën e vendeve pjesëmarrëse duke përfshirë Australinë, Rusinë, Korenë e Jugut dhe Indinë.

Duke folur para gazetarëve të shtunën pas kthimit të tij në Uashington nga Florida,  Trump tha se G7, që bën bashkë vendet me ekonomitë më të përparuara në botë, ishte një “grup shumë i vjetëruar vendesh” në formatin e tij aktual.

Po e shtyj sepse nuk mendoj se G7 përfaqëson siç duhet atë që po ndodh në botë“, tha Presidenti Trump. Shumica e vendeve evropiane nuk bën komente të menjëhershme rreth propozimit.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se Berlini ishte në pritje të informacioneve të mëtejshme. Nuk ishte e qartë nëse dëshira e Trump për të ftuar vende të tjera ishte një përpjekje për ta zgjeruar përgjithmonë formatin e G7.

Në disa raste të mëparshme, Trump ka sugjeruar se duhet të shtohej edhe Rusia, duke e quajtur Moskën me rëndësi strategjike globale.

Rusia u përjashtua nga ajo që asokohe ishte G8 në 2014, pasi Moska aneksoi rajonin e Krimesë nga Ukraina. Rusia ka ende kontrollin mbi këtë territor dhe qeveri të ndryshme të G7 i kanë kundërshtuar thirrjet e mëparshme të Presidentit Trump për të rifutur Moskën brenda këtij grupimi. /VOA