Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, zgjodhi 80-vjetorin e gazetës së njohur gjermane Die Zeit për t’u bërë thirrje udhëheqësve të BE-së të përshpejtojnë procesin e zgjerimit për të shmangur ndikimin në shtetet kandidate nga Rusia, Kina apo Turqia.

“Ne duhet të arrijmë që ta unifikojmë plotësisht kontinentin evropian në mënyrë që të mos ndikohet nga Rusia, Turqia apo Kina. Ne duhet që të mendojmë më gjerë dhe në mënyrë gjeopolitike për këtë”, tha presidentja e KE-së.

Von der Leyen e bëri të qartë se është koha për të ndryshuar parimin e unanimitetit në BE, i keqpërdorur vitet e fundit sidomos nga Viktor Orban në rrugën e integrimit evropian të Ukrainës.

“Ndryshimi i qeverisë në Hungari paraqet një mundësi të rrallë për të rimenduar se si merren vendimet në nivelin e BE-së. Neve na duhet që ta ndryshojmë parimin që të gjitha shtetet anëtare të BE-së të bien gjithmonë njëzëri dakord për një vendim që ai të miratohet. Jo vetëm në Këshillin Evropian, por edhe në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, ne duhet që të kalojmë në votimin me shumicë të cilësuar me dy të tretat”, shtoi ajo.

Von der Leyen bëri thirrje për pavarësi më të madhe evropiane.

“Mbi të gjitha, tanimë duhet një Bashkim Evropian më i pavarur është thelbësor. Nëse shikoni modelin e biznesit të BE-së, konkurrueshmëria jonë deri më tani ka qenë e bazuar në energjinë e lirë nga Rusia, punën e lirë nga Kina dhe mbrojtjen nga Amerika. Kjo ka mbaruar. Tashmë duhet që të ripozicionohemi plotësisht, të garantojmë vetë sigurinë e kontinentit tonë”, u shpreh presidentja.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se deri në vitin 2050, Evropa duhet që të eliminojë gazrat serë, të shtojë burimet e energjisë së pastër që përfshijnë erën, energjinë diellore, biomasën, hidroenergjinë dhe reaktorët modularë bërthamorë.

Tv Klan

/tvklan.al