Hatice Cengiz: Thelbësore të dënohet pa asnjë vonesë Princi i Kurorës

E fejuara e gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi bëri thirrje të hënën për ndëshkimin e princit saudit të Kurorës Mohammedbin Salman, pasi një raport i agjencive amerikane të zbulimit tha se ai kishte miratuar vrasjen.

Khashoggi, një qytetar amerikan dhe opinionist i gazetës Washington Post që kritikonte vazhdimisht politikat e Arabisë Saudite, u vra në konsullatën saudite të Stambollit dhe më pas trupi i tij u copëtua.

Raporti zbuloi se princi miratoi vrasjen, por Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj disa figurave të tjera të Mbretërisë, duke kursyer vetë Princin Mohammed. Qeveria saudite që deri më tani ka mohuar përfshirjen e princit, refuzoi gjetjet e raportit.

“Është thelbësore që të dënohet pa asnjë vonesë Princi i Kurorës. Nëse princi nuk ndëshkohet do të konsiderohet një sinjal se fajtorët do të shpëtohen pa u ndëshkuar”, tha Hatice Cengiz në Twitter.

“Duke filluar nga administrata Biden, është jetike që udhëheqësit botërorë të pyesin veten nëse duan të shtrëngojnë duart me një person përfshirja e të cilit në vrasje është provuar,” shtoi ajo.

Presidenti amerikan Joe Biden miratoi të premten e kaluar sanksione ndaj disa zyrtarëve suaditë të përfshirë në vrasjen e gazetarit Khashoggi duke anuluar vizat dhe ngrirë asetet e tyre në ShBA.

Shtëpia e Bardhë nuk u është përgjigjur akuzave për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Princit të Kurorës. Zëdhënësja Jen Psaki tha se administrata do të njoftojë sërish sanksione ndaj zyrtarëve sauditë, por pa specifikuar nëse në listën e sanksioneve do të përfshihet princi i Kurorës.

Klan News