Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, ka anuluar një vizitë zyrtare në shtetin afrikan Eswatini, duke akuzuar Pekinin se ka ushtruar presion mbi vendet fqinje për të ndaluar fluturimin e avionit të tij mbi territorin e tyre.
Siç shkruan BBC, një zyrtar nga Tajvani tha se ishujt Seychelles, Mauritius dhe Madagascar i revokuan lejet e fluturimit mbi territorin e tyre pas “presionit intensiv” dhe detyrimit ekonomik nga Kina. Kina i mohoi këto akuza, duke lavdëruar tre vendet afrikane dhe duke thënë se kishte “vlerësim të lartë” për to.
Kjo është hera e parë e njohur publikisht që një lider tajvanez detyrohet të anulojë një udhëtim jashtë vendit për shkak të revokimit të lejeve të fluturimit.
Eswatini, është i vetmi aleat diplomatik i Tajvanit në Afrikë. Ai është një nga vetëm 12 shtetet, shumica vende të vogla në Amerikën Latine ose Paqësor, që e njohin Tajvanin.
Kina ndjek parimin “një Kinë”, sipas të cilit Pekini pretendon sovranitet mbi Tajvanin, megjithëse shumë tajvanezë e konsiderojnë veten një shtet sovran. Pekini e sheh ishullin e vetëqeverisur si një provincë të shkëputur që në të ardhmen do të bëhet pjesë e vendit dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta arritur këtë.
Qeveria kineze ka qenë e zëshme në kundërshtimin e saj ndaj presidentit Lai, të cilin e ka përshkruar më parë si “shkaktar problemesh” dhe “shkatërrues të paqes ndërmjet brigjeve”.
Në një deklaratë në rrjetin X, Lai kritikoi “veprimet detyruese” të Kinës, duke thënë se ato “zbulojnë rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për rendin ndërkombëtar”.
“Asnjë sasi kërcënimesh apo presioni nuk do ta lëkundë vendosmërinë e Tajvanit për t’u angazhuar me botën”, tha ai.
Qeveria e Eswatinit u shpreh se ishte për të ardhur keq që Lai nuk mundi të vizitonte vendin, por kjo nuk do të “ndryshojë statusin e marrëdhënieve tona të gjata dypalëshe”. Lai pritej të merrte pjesë në një ceremoni që shënonte 40-vjetorin e ardhjes në pushtet të mbretit Mswati III.
Në një konferencë për shtyp të mërkurën, një zëdhënës i Zyrës për Çështjet e Tajvanit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës tha se Pekini “vlerëson qëndrimin dhe veprimet e vendeve përkatëse në mbështetje të parimit të një Kine”.
Ministria e Jashtme kineze shtoi gjithashtu se është “e qartë se i ashtuquajturi ‘President i Republikës së Kinës’ nuk ekziston më në botë”, duke iu referuar titullit zyrtar të Lai-t në Tajvan.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Seychelles dhe Madagascar thanë se e morën këtë vendim sepse nuk e njohin Tajvanin.
Disa zyrtarë në SHBA e kritikuan këtë veprim. Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve deklaroi se “qëndron me Tajvanin kundër këtij presioni të hapur”, ndërsa senatori amerikan Ted Cruz kritikoi Mauritiusin, duke thënë se duket “i vendosur të rreshtohet me Partinë Komuniste Kineze”.
/tvklan.al












Botërori 2026 
