Qytetarët mund të informohen në kohë reale për të dhëna, informacione, dokumenta apo projekte të qeverisë nëpërmjet platformës online “Pasqyra e Flamingos”.
I pranishëm në prezantimin e platformës, e cila do të jetë e aksesueshme në shqip dhe anglisht, kryeministri Rama tha se nisma ka ardhur si reflektim i protestës disa mujore, ndaj dosja e parë që do të publikohet është ajo e Sazanit-Zvërnecit.
“Patjetër që nuk mund të mos niste me dosjen më tërheqëse të Republikës së Shqipërisë, me dosjen e Sazanit-Zvërnecit. Është një burim i cili do t’u shërbejë të gjithëve, do t’u shërbejë qytetarëve për të parë jo se çfarë shkruan qeveria. Do të vendosim çdo dosje qeveritare me një ndjeshmëri të posaçme.”
Për dosjen e Sazanit dhe Zvërnecit, Rama sqaroi se projekti urbanistik, si dhe studimi mjedisor, do të publikohet sapo të jetë gati.
“Nuk ka projekt urbanistik dhe arkitektonik apo studimin mjedisor, sepse ende nuk ka ardhur. Çfarëdo tjetër që do të vijë, do të vendoset menjëherë në pasqyrë. Çfarë mungon është thjesht dhe vetëm çfarë nuk është ende në dispozicion dhe për këtë arsye dosja është e hapur. Në momentin kur dosja mbyllet, atëherë aty ka edhe një status ‘dosje e mbyllur’.”
Rama tha se platforma do të përditësohet edhe me dosje të tjera qeveritare me interes të lartë publik, përfshirë edhe dokumentacionin për KAYO-n.
“Po përgatisim disa tema të tjera. Shumë shpejt do të publikojmë dosjen e KAYO-s. Po ashtu, Milot-Balldreni është një tjetër temë, e cila është diskutuar sipas nesh, trillime, gjysmë të vërteta, informacione të paverifikuara dhe pastaj faktet janë vendosur nën presionin e madh që vjen nga një botë, e cila varet nga çfarë thuhet, jo nga si dhe sa verifikohet.”
Një opsion i dedikuar do të jetë për qytetarët, të cilët do të mund të pyesin dhe të marrin përgjigje për projekte të caktuara.
Sipas kryeministrit, kjo platformë nuk është retorikë politike, por do të ndërtohet mbi bazën e dokumentave dhe shkresave zyrtare.
“Nuk ka retorikë apo deklarata politike të cilat përhapin lajmin e rremë apo gjysmë të vërtetat që janë gënjeshtrat më të mëdha, por ka vetëm gjuhë faktesh me dokumenta zyrtare.”
Platforma “Pasqyra e Flamingos” do të integrohet në ligjin për bashkëqeverisjen.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 