Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët e paligjshëm po shërben si model edhe për vendet anëtare të BE për të zgjidhur problemin e flukseve emigratore.
Të martën në Strasburg do të prezantohet nga Komisioneri Evropian për Migracionin Magnus Brunner rregullorja e re përbashkët për riatdhesimin e emigrantëve.
Kjo rregullore do të shërbejë si bazë për 27 shtetet anëtare të unionit. Ndër 52 nenet që përbëjnë rregulloren, duket se ka një propozim në lidhje me krijimin e qendrave të pritjes së emigrantëve në vendet e treta.
Për sa i përket mundësisë që kombet evropiane të përfitojnë nga bashkëpunimi me vendet e treta, BE-ja prezanton mundësinë e riatdhesimit të personave kundër të cilëve është nxjerrë një vendim riatdhesimi në një vend të tretë me të cilin ka një marrëveshje të tillë.
Një masë që mund të rezultojë mjaft e dobishme për qeverinë italiane, nisur nga pakti mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigrantëve që mbërrijnë në Itali, por që për momentin ka hasur në pengesa ligjore.
Sipas mediave italiane operacionet e riatdhesimit janë të plota dhe efektive në BE vetëm në 20% të rasteve, pasi emigrantët janë në gjendje t’i shpëtojnë autoriteteve dhe të lëvizin në shtetet e tjera anëtare.
Duke qenë se problemi emigracionit menaxhohet në mënyrë autonome nga vendet anëtare kjo rregullore do të shërbejë si një bazë e përbashkët dhe zgjidhje për të gjitha vendet anëtare.
Klan News