Princi Andrew do të heqë dorë nga përdorimi i titujve dhe nderimeve të tij, për shkak të lidhjeve me të ndjerin Jeffrey Epstein  i akuzuar për trafikim seksual.

Andrew, vëllai i vogël i Mbretit Charles III dhe djali i dytë i Mbretëreshës Elizabeth, ka qenë në qendër të vëmendjes prej vitesh. Përveç lidhjeve me Epstein, një vendim gjykate vitin e kaluar zbuloi se një nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë të biznesit dyshohej se ishte një spiun kinez.

Andrew deklaroi në atë kohë se kishte ndërprerë çdo kontakt me atë individ.

Në një deklaratë të lëshuar, 65-vjeçari, i cili dikur shihej si një oficer marine trim dhe shërbeu në Luftën e Falklands, theksoi se akuzat ndaj tij shpërqendronin vëmendjen nga puna e Mbretit Charles dhe familjes mbretërore.

“Kam vendosur të vë në radhë të parë detyrën ndaj familjes dhe vendit tim”, deklaroi ai duke mohuar akuzat.

Britanikët e kanë mbështetur këtë lëvizje. Sipas një sondazhi, rreth 67% e tyre kanë qenë dakord për heqjen e titujve të tij mbretërorë.

Megjithatë, Andrew do të vazhdojë të jetojë në Royal Lodge, një pronë e madhe pranë Kështjellës Windsor.

Klan News

/tvklan.al