Princi Harry dhe Meghan Markle kanë tërhequr fëmijët e tyre, Princin Archie dhe Princeshën Lilibet, nga shkolla e tyre e re në Britani, vetëm dy ditë pasi nisën mësimet bën me dije, agjensia e lajmeve Reuters.
Sipas raportimeve, vendimi është marrë për arsye sigurie, pasi çifti ka diskutuar me ekipin e tyre të sigurisë rreth rreziqeve që mund të paraqiten për fëmijët.
Archie, shtatë vjeç dhe Lilibet, pesë vjeç, ishin regjistruar në një shkollë përgatitore britanike pasi familja u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar pas disa vitesh jetë në Shtetet e Bashkuara.
Tashmë, sipas raportimeve, ata “po fillojnë diku në një shkollë tjetër”.
Zhvillimi vjen në një moment kur po rishikohet edhe niveli i sigurisë për Princin Harry dhe Meghan Markle gjatë qëndrimit të tyre në Britani.
Komiteti i Ministrisë së Brendshme britanike që vlerëson sigurinë e anëtarëve të familjes mbretërore dhe figurave të tjera të profilit të lartë, Ravec, thuhet se e ka informuar Harry-n se do të kryhet një shqyrtim i plotë i rrezikut ndaj tij dhe familjes së tij.
Ky do të ishte një shqyrtim i rëndësishëm për familjen, pasi rreziku ndaj Meghan nuk ishte vlerësuar në këtë mënyrë që prej largimit të çiftit nga detyrat si anëtarë të familjes mbretërore në vitin 2020.
Harry prej vitesh është përfshirë në një betejë ligjore me Ministrinë e Brendshme britanike për sigurinë e tij.
Pas tërheqjes nga detyrat mbretërore dhe zhvendosjes në Kaliforni, atij iu hoq e drejta për mbrojtje policore të financuar nga taksapaguesit.
Siguria e Harry aktualisht po shqyrtohet nga një komitet qeveritar, dhe zëdhënësi i çiftit konfirmoi se situata e Meghan po shikohet përsëri për herë të parë që kur u larguan nga Britania.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 