Dadoja e besuar e Princit dhe Princeshës së Uellsit mori Medaljen Mbretërore Viktoriane gjatë një ceremonie në Kështjellën Windsor ditën e sotme, 24 Mars. 

Maria Teresa Turrion Borrallo ka punuar për Princin William dhe Princeshën Kate që kur Princi  George  ishte foshnjë dhe mbeti një dado e qëndrueshme e familjes edhe kur erdhën në jetë Princesha Charlotte dhe Princi Louis.

Revista amerikane “People” bëri të ditur se ishte vetë Princi William, i cili drejtoi ceremoninë si dhe i dhuroi Medaljen e Argjendtë Mbretërore Viktoriane dados së fëmijëve të tij, megjithatë fotot dhe videot e këtij momenti nuk u ndanë me median.

Dadoja e lindur në Spanjë ka punuar për Princin dhe Princeshën e Uellsit për rreth 12 vjet, duke u bashkuar me ekipin e tyre kur Princi George ishte 8 muajsh dhe duke jetuar me ta, në Pallatin Kensington në Londër.

“Maria i do shumë fëmijët. Ajo mund të jetë e vendosur dhe e rreptë, por është edhe shumë e dashur dhe e butë me ta”, tha një burim për “People”.

Edhe pse fëmijët e Princit dhe Princeshës së Uellsit janë rritur, Borrallo mbetet në zemër të familjes dhe së fundmi u pa duke ngarë makinën me William dhe Charlotte në drekën e Krishtlindjeve të Mbretit Charles në Pallatin Buckingham në dhjetor.

Borrallo është një dado e nivelit të lartë, pasi është diplomuar në Kolegjin prestigjioz Norland në Bath, i cili e reklamon veten si një institut trajnimi për kujdesin ndaj fëmijëve i klasit botëror. 

/tvklan.al