Dy partitë kryesore politike në Shqipëri ndajnë pritshmëri të ndryshme për progres-raportin e Komisionit Europian, që publikohet këtë të martë në Bruksel.

“Progres-raporti është një pamje e Shqipërisë sot, në këtë moment. Dhe një panoramë e Shqipërisë në këtë moment, unë shpresoj të reflektohet atje që lidhet së pari me situatën në parlament, me faktin që mungon konsensusi, mungon edhe hapësira e opozitës në parlament, ndryshimet kanë qenë të njëanshme, në për dy muaj nuk kemi pasur një seancë normale. Shpresoj që të ketë një reflektim për zgjedhjet dhe jam e sigurt që do të jetë raporti i OSBE-ODIHR, sepse Bashkimi Europian dhe Komisioni nuk kanë një vlerësim të tyre të veçantë për këtë çështje dhe jam e sigurt që do të ketë një analizë të plotë për sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit, drejtësisë. Unë besoj që në korrik raporti për shtetin e së drejtës është edhe një paraprirje për atë që do të reflektojë atje”, tha deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.

Socialistët janë optimistë për gjetjet e këtij progres-raporti, sidomos në vlerësimin e reformave të integrimit.

“Sigurisht që integrimi është kryesorja, objektivi strategjik i Shqipërisë, dhe sigurisht që dialogu mes pozitës dhe opozitës është thelbësor, jo vetëm për të bindur partnerët tanë, por edhe për veten tonë, për të arritur reformat. Kemi patur dhe një bashkëpunim të mirë me kolegët e opozitës. Sigurisht që ata kanë kritikat e tyre. E rëndësishme është që në sytë e ndërkombëtarëve të dalim si konstruktivë edhe në mosmarrëveshjet që ne kemi lidhur me reformat”, tha Romina Kuka, deputete e PS.

Qeveria shqiptare synon të hapë edhe grupkapitullin e fundit të negociatave, atë për bujqësinë dhe mbrojtjen e mjedisit, brenda muajit nëntor.

Klan News

/tvklan.al