Strategjia e re e turizmit dhe mjedisit 2030: Drejt një turizmi të qëndrueshëm
Në pjesën e parë të emisionit “Pro Business” në TV Klan, Herida Duro, drejtoreshë e turizmit pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ndau detaje rreth strategjisë së re të turizmit dhe mjedisit 2030.
Kjo strategji synon të forcojë një turizëm të qëndrueshëm dhe të diversifikuar gjithëvjetor, duke përfshirë një sërë aksionesh dhe bashkëpunime me institucione qendrore dhe agjenci shtetërore.
Një nga sfidat kryesore të turizmit shqiptar ka qenë sezonaliteti, por Duro thekson që kjo sfidë është duke u tejkaluar me një rritje të qëndrueshme të vizitorëve gjatë gjithë vitit.
Sfidat logjistike, veçanërisht në infrastrukturën portuale dhe ajrore, janë një fokus i rëndësishëm për përmirësim. Ndërkohë, tregjet e reja turistike, si Australia, Zelanda e Re, Amerika, Kina dhe Japonia, po kontribuojnë në diversifikimin e turizmit. Interesi për parqet natyrore dhe oferta turistike alternative, si agroturizmi dhe aktivitetet në natyrë, po rritet. Ky diversifikim është thelbësore për të krijuar një përvojë më të pasur për vizitorët. Rritja e të ardhurave nga turizmi është e dukshme, me një rritje prej 20% në kontratat me tur-operatorët ndërkombëtarë, ndërsa promovimi i Shqipërisë si “Top Destination” vazhdon të japë rezultate pozitive.
Duro thotë se përmirësimi i infrastrukturës dhe ofertave turistike është një prioritet, duke përfshirë rrugët, aksesin dhe kapacitetet e akomodimit.
Gjithashtu, ka një rritje të kërkesave për profile të reja profesionale në turizëm, me një fokus në formimin profesional dhe kthimin e emigrantëve, të cilët mund të kontribuojnë me njohuri dhe eksperiencë të çmuar. Strategjia e re identifikon gjashtë rajone turistike kryesore, duke synuar të fuqizojë veçoritë dhe potencialin e secilit rajon për të krijuar një imazh të unifikuar dhe tërheqës. Ndërkohë, Shqipëria do të jetë vend nderi në Panairin Global ITB Berlin nga 4-6 Mars, një mundësi e rëndësishme për promovimin e vendit në skenën ndërkombëtare.
Sezoni turistik 2025: Kapacitetet, çmimet dhe sfidat
Në pjesën e dytë të emisionit “Pro Business” në TV Klan, Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, ndau një analizë të gjendjes aktuale të turizmit në Shqipëri. Sipas tij, rreth 70% e kapaciteteve të hoteleve për turizmin e organizuar janë rezervuar nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa turizmi individual tregon rezultate të ndryshme në varësi të hoteleve.
Diaspora dhe të huajt janë më të shpejtë në rezervime, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës zakonisht rezervojnë afër kohës së pushimeve.
Çmimet e hoteleve kanë pësuar rritje, por Kasa thekson se kjo është e justifikuar dhe në përputhje me trendet globale.
Megjithatë, disa hotele në jug vitin e kaluar u detyruan të ulnin çmimet pasi rritjet e tyre nuk u pranuan mirë nga turistët. Flukse turistike kryesore vijnë nga Europa Qendrore (Polonia, Çekia, Hungaria) dhe Lindja e Mesme, ndërsa Gjermania, Austria dhe Zvicra mbeten tregje të rëndësishme për turizmin individual.
Kasa thekson se kënaqësia e turistëve është çelësi i suksesit, pasi turistët e kënaqur sjellin të ardhura të qëndrueshme në ekonomi. Një sfidë e madhe për sektorin është mungesa e stafit menaxhues, ndërsa punonjësit e niveleve më të ulëta janë marrë nga vende si Filipinet, Tajlanda dhe India.
Për turizmin elitare, Kasa beson se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të ecur, duke theksuar se Sazani mund të jetë një potencial, por vendi nuk është ende në nivelin e destinacioneve si Santorini ose Mykonos.
Në fund, Kasa vuri në dukje problemet e trafikut në Ksamil, ku turistët kanë kaluar deri në 3 orë në trafik për të arritur nga Saranda. Ai theksoi nevojën për rrugë alternative për të përmirësuar përvojën e vizitorëve dhe për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e këtij destinacioni.
/tvklan.al












Botërori 2026 