Raiffeisen Bank sjell risi me SME start, hapja e llogarisë së biznesit 100% online

Nga aplikimi dhe identifikimi digjital te nënshkrimi elektronik, sipërmarrësit mund të bëhen klientë të bankës pa u paraqitur fizikisht në degë. Platforma përfshin edhe aksesin në Raiffeisen ON, kartat e debitit dhe shërbimet POS/RPOS.

Digjitalizimi po ndryshon mënyrën se si bizneset menaxhojnë aktivitetin e tyre të përditshëm, duke e bërë kohën një nga burimet më të rëndësishme për çdo sipërmarrës. Në këtë drejtim, Raiffeisen Bank Shqipëri eshte e para banke që sjell SME Start, një platformë të re digjitale që mundëson hapjen e llogarisë së biznesit 100% online, pa qenë e nevojshme paraqitja fizike në një degë bankare.

E prezantuar si zgjidhja e parë e këtij lloji në Shqipëri, SME Start synon të thjeshtojë një nga procedurat tradicionale të marrëdhënies mes biznesit dhe bankës. I gjithë procesi është konceptuar të përfundojë në rreth 20 minuta dhe përfshin aplikimin, identifikimin digjital dhe nënshkrimin elektronik të dokumentacionit bankar.

Sipas Gilda Kalajt, Menaxhere Produkti Raiffeisen Bank Shqipëri, risia kryesore qëndron në mundësinë që bizneset të kryejnë të gjitha këto procedura nga telefoni apo kompjuteri, në një ambient të përshtatshëm për ta. Platforma është ndërtuar për të qenë intuitive dhe fleksibël, duke lehtësuar edhe procesin e aplikimit përmes dokumentacionit minimal.

Për personat fizikë kërkohet vetëm ekstrakti historik i QKB-së, i shkarkuar nga e-Albania dhe i pajisur me vulë elektronike. Ndërsa për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar (SHPK), përveç këtij dokumenti, nevojitet edhe ekstrakti i regjistrit të pronarit përfitues. Një tjetër lehtësi është se aplikimi mund të plotësohet edhe nga një person i dytë, si ekonomisti apo kontabilisti i biznesit, ndërsa identifikimi digjital dhe nënshkrimi përfundimtar kryhen nga përfaqësuesi ligjor.

Në përfundim të procedurës, klienti pajiset me numrin e llogarisë dhe dokumentacionin përkatës, ndërsa llogaria bëhet aktive. Kështu, biznesi mund të nisë menjëherë marrëdhënien bankare dhe të ndajë të dhënat e llogarisë me furnitorët dhe partnerët e tij.

Por SME Start nuk kufizohet vetëm te hapja e llogarisë. Platforma krijon mundësinë që, përmes të njëjtit aplikim, bizneset të kërkojnë edhe kartë debiti, akses në platformën Raiffeisen ON, si dhe shërbimet POS dhe RPOS. Kjo do të thotë se sipërmarrësit mund të aplikojnë për një paketë më të gjerë shërbimesh bankare, me dokumentacion të integruar dhe nënshkrim digjital.

Z.Olsi Memisha, Përgjegjës i Produktit  Raiffeisen Bank Shqipëri, shpjegon se SME Start plotëson hallkën që mungonte në ofrimin e shërbimeve bankare online: mundësinë që edhe klientët e rinj të bëhen pjesë e bankës pa pasur nevojë për identifikim fizik në degë. Përmes Raiffeisen ON, ata mund të menaxhojnë llogaritë dhe të kryejnë transaksionet e tyre në çdo kohë, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.

Siguria mbetet një element thelbësor i këtij procesi. Dokumentacioni i ngarkuar i nënshtrohet kontrolleve dhe verifikimeve, ndërsa identifikimi digjital përfshin leximin e të dhënave biometrike të kartës së identitetit ose pasaportës, si dhe videoidentifikimin e klientit.

Përtej shërbimeve që ofron aktualisht, banka synon ta zgjerojë më tej këtë model digjital. Një nga hapat e ardhshëm është mundësia e marrjes së kredisë për bizneset përmes një procesi tërësisht online. Sipas Memishës, banka ka tashmë një proces të ngritur për kreditë SME deri në 300 mijë euro, ku vendimmarrja mund të kryhet në pesë minuta, bazuar në tre dokumente. Synimi është që edhe nënshkrimi i kontratave të realizohet në mënyrë digjitale, duke shmangur paraqitjen fizike në degë.

Në këtë mënyrë, SME Start shënon një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të marrëdhënies bankare me bizneset. Një proces që nis me hapjen online të llogarisë dhe synon të përfshijë gjithnjë e më shumë shërbime, duke u dhënë sipërmarrësve më shumë kohë për t’iu kushtuar aktivitetit të tyre.

Me pak fjalë, pa ardhur fare në degë, një klient mund të hapë llogari biznesi, të përfitojë në të ardhmen shërbime kredie dhe të kryejë çdo ditë shërbimet digjitale që i nevojiten sipërmarrjes së tij.

Biznesi më shumë kohë me SME start, eksperienca pozitive e connect drive

Kursimi i kohës, lehtësia e aplikimit dhe shmangia e procedurave në degë. Connect Drive tregon përvojën e përdorimit të platformës digjitale të Raiffeisen Bank Shqipëri.

Mundësia për të kryer procedurat bankare tërësisht online po kthehet në një lehtësi konkrete për sipërmarrjet që kërkojnë të menaxhojnë më mirë kohën dhe angazhimet e përditshme. Një prej bizneseve që ka zgjedhur këtë alternativë është Connect Drive, i cili ka përdorur platformën SME Start të Raiffeisen Bank Shqipëri për aplikimin online për hapjen e llogarisë së biznesit.

Në një intervistë për emisionin Pro Business në TV Klan, drejtori i Shitjeve të Connect Drive, Enea Arapi, tregon se u njohën me këtë shërbim përmes kanaleve zyrtare të bankës. Njohja e mëparshme me produktet dhe shërbimet e bankës, si dhe përdorimi personal i aplikacionit Raiffeisen ON, i kishin krijuar besimin për të provuar edhe këtë zgjidhje të re digjitale. Vendimtare në zgjedhjen e saj ishte koha që mund të kursenin, duke kryer aplikimin online, pa pasur nevojë të paraqiteshin fizikisht në degëSipas Arapit, procesi u krye përmes kompjuterit të biznesit dhe ishte i thjeshtë për t’u ndjekur. Ai vlerëson se platforma ofron udhëzime të qarta gjatë aplikimit, ndërsa mbështetja e stafit të bankës ishte e disponueshme për çdo paqartësi që mund të lindte gjatë procedurës.

Një tjetër element që ndikoi në përvojën pozitive ishte besimi te institucioni bankar dhe gatishmëria për të përqafuar risitë teknologjike.

Krahasuar me procedurat tradicionale, SME Start shmang nevojën për të shkuar në degë, për të pritur në radhë apo për t’u shkëputur nga aktiviteti i përditshëm i biznesit. Për sipërmarrjet që kanë nevojë të ruajnë vazhdimësinë e punës, mundësia për të kryer aplikimin nga zyra përbën një avantazh të rëndësishëm, duke kursyer kohë dhe duke shmangur kostot që lidhen me paraqitjen fizike në bankë.

Duke u mbështetur në eksperiencën e tij, Enea Arapi e rekomandon këtë shërbim edhe për bizneset e tjera, duke e cilësuar si funksional, efikas dhe të besueshëm. Ai inkurajon sipërmarrësit që ende hezitojnë të provojnë shërbimet digjitale, të shfrytëzojnë mundësitë që ofrohen, duke pasur në dispozicion edhe asistencën e bankës gjatë procesit.

Eksperienca e Connect Drive dëshmon se digjitalizimi i shërbimeve bankare nuk lidhet vetëm me përdorimin e teknologjisë, por mbi të gjitha me përfitimet konkrete që sjell në aktivitetin e përditshëm të një sipërmarrjeje.

Përmes SME Start, Raiffeisen Bank Shqipëri synon ta bëjë më të thjeshtë hapin e parë të marrëdhënies bankare për bizneset, duke u mundësuar atyre të aplikojnë për hapjen e llogarisë në mënyrë 100% online, pa u larguar nga ambientet e punës.

Paketa fiskale 2027, kontabilisti përllogarit efektet e ndryshimeve kryesore

Në pjesën e tretë të emisionit Pro Business në TV Klan, në fokus është Paketa Fiskale 2027 dhe ndikimi që ndryshimet e propozuara pritet të kenë te bizneset, punonjësit dhe familjet shqiptare. Përmes një analize të mbështetur në përllogaritje dhe shembuj konkretë, kontabilisti Andi Haxhillari shpjegon se si ndryshimet në sistemin e taksave mund të ndikojnë në kostot e sipërmarrjeve, të ardhurat e punonjësve dhe shpenzimet e përditshme të qytetarëve.

Një nga ndryshimet kryesore është ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë, e cila prek drejtpërdrejt bizneset me xhiro nga 5 deri në 10 milionë lekë, ndërsa efekti për secilin prej tyre do të varet edhe nga lloji i klientëve dhe mundësia për ta reflektuar këtë kosto në çmimet e produkteve apo shërbimeve. Përmes shembujve të bizneseve me xhiro të ndryshme vjetore, eksperti tregon se edhe sipërmarrjet që nuk preken drejtpërdrejt nga ky detyrim mund ta ndiejnë ndikimin nëpërmjet rritjes së kostove të blerjeve.

Analiza ndalet edhe te rritja e propozuar e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, duke treguar se si ndryshon fitimi që u mbetet ortakëve të një shoqërie tregtare, ndërsa sqarohet edhe pse ky ndryshim nuk prek në të njëjtën mënyrë bizneset e regjistruara si persona fizikë. Në të njëjtën kohë, ndryshimet në tatimin mbi pagat sjellin lehtësime për një pjesë të punonjësve, por shtrojnë edhe një pyetje të rëndësishme: a do të përkthehet ky përfitim në të ardhura më të larta për punonjësit apo do të ndikojë në kostot e punëdhënësve?

Një tjetër çështje me rëndësi për familjet është ulja e propozuar e TVSH-së për produktet ushqimore nga 20% në 6%, e cila, nëse reflektohet në çmimet përfundimtare, mund të sjellë kursime në shpenzimet e përditshme. Përmes një shembulli konkret të një marketi, eksperti ilustron se sa mund të jetë ky përfitim dhe çfarë rëndësie ka që ulja e taksës të shkojë realisht te konsumatori.

Por ndikimi nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë. Marketet, restorantet, hotelet dhe bizneset e shërbimeve do të përballen me efekte të ndryshme, në varësi të aktivitetit që ushtrojnë dhe mënyrës se si mund të përballojnë detyrimet e reja. Për ta bërë më të qartë panoramën, analiza përmbyllet me një rast konkret: një biznes me 10 milionë lekë xhiro vjetore, 2 milionë lekë fitim dhe pesë punonjës, për të llogaritur se si ndërthuren ndryshimet në TVSH, tatimin mbi dividendin dhe tatimin mbi pagat.

Për më tepër ndiqni emisionin në kanalin e youtube në Tv Klan!

/tvklan.al