” Pro Business” një emision nga Oljana Maloku në Tv Klan.

Shqipëria prezantohet nga AZHT me projekte që mbajnë vulën e arkitektëve më të famshëm botërorë

Shqipëria ka shkëlqyer në MIPIM 2026, një nga panairet më të rëndësishme globale për pasuritë e paluajtshme dhe projektet e zhvillimit, i mbajtur në Cannes të Francës. Me mbi 20 mijë pjesëmarrës nga 90 shtete, pavijoni shqiptar “Soundscapes of Albania” u shndërrua në një nga hapësirat më të vizituara, duke tërhequr vëmendjen e investitorëve më të mëdhenj ndërkombëtarë.

Në total, Shqipëria solli në MIPIM 2026 rreth 100 projekte unike.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), Adelajda Roka, theksoi se fluksi i vizitorëve të huaj në pavijonin shqiptar ishte mbresëlënës, duke e kthyer atë në një nga më të kërkuarit e panairit. Sipas znj. Rokës, kjo nuk ndodhi vetëm për shkak të arkitekturës tërheqëse të stendës, por për shkak të diçkaje që ajo mbart brenda: historinë e re të arkitekturës shqiptare.

Znj. Adelajda Roka shprehu bindjen se gjithçka që po ndodh në Shqipëri në këtë periudhë, e kuruar nga studiot ndërkombëtare më të famshme botërore, e bëri pavijonin të mos ketë nevojë për shumë fjalë.

“Ne jemi të bindur që gjithçka që po ndodh në këtë periudhë në Shqipëri, i gjithë zhvillimi i kuruar nga të gjitha studiot ndërkombëtare më të famshme botërore, e bën pavijonin të mos ketë nevojë për shumë fjalë. E bën pavijonin të jetë i vizituar nga të gjithë. Është ekzaktësisht ajo që ne presim të marrim nga zhvillimi që po ndodh në vendin tonë. Shtrirja gjeografike e projekteve është në të gjithë Shqipërinë. Jemi munduar të jemi gjithëpërfshirës në territorin e Republikës së Shqipërisë, sepse vetë zhvillimi është gjithëpërfshirës.”

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij transformimi është mënyra se si punohet me arkitektët ndërkombëtarë. Roka theksoi se çdo projekt ka një arkitekt të huaj dhe një arkitekt vendor, të cilët kryejnë një studim të mirëfilltë përpara hartimit.

“Çdo arkitekt i huaj vjen dhe qëndron disa ditë për të parë të gjitha detajet e zonës ku do të hartohet projekti. Kjo ka të bëjë pikërisht me marrjen në konsideratë të të gjithë elementëve që lidhen me zhvillimin.”

Duke folur për zhvillimin e jashtëzakonshëm të bregdetit shqiptar, drejtoresha e AZHT-së u ndal me krenari te rajoni i jugut, i cili po shkëlqen në hartën e zhvillimeve më ambicioze mesdhetare.

“Ajo që vlen për t’u përmendur dhe që unë ndesha sot në këtë pavijon është se të gjithë investitorët e huaj kanë një kërkesë shumë të madhe për projektet që janë në jug.”

Duke folur për pozicionin e Shqipërisë në rajon dhe konkurrencën me vendet fqinje, Adelajda Roka ndalet te një moment që tregon më së miri sesi vendi ynë po shkëlqen në skenën ndërkombëtare, duke lënë pas edhe konkurrentët tradicionalë si Mali i Zi dhe Greqia.

“Unë do të thoja që MIPIM-i, në qëllimin tonë primar, kishte një publicitet për vetë Shqipërinë, por mbi të gjitha për të parë realitetin se çfarë po ndodh dhe sa të kujdesshëm jemi treguar me të gjithë zhvillimin në tërësi dhe projektet që po zhvillohen në Shqipëri. Në fakt, kishim një nga agjencitë imobiliare më të mëdha të një vendi fqinj, të cilën nuk po e përmend, dhe administratori i agjencisë ishte realisht i surprizuar nga të gjithë projektet tona në jug dhe patjetër që ndjehet fryma e konkurrencës për projektet, në kuptimin e plotë të fjalës ‘resort’, që po zhvillohen në Shqipëri në krahasim me vendet fqinje. Ndjehet dhe kjo na bën të ndjehemi krenarë, pasi ne kemi arritur një lloj niveli në arkitekturë që na bën konkurrues lehtësisht dhe fitues ndoshta në tregun pranë, por edhe më gjerë, atë që ne aspirojmë në këtë lloj projektesh që shohim të ekspozuara sot, por edhe në vazhdimësi që janë bërë publike.”

Titulli “Soundscapes of Albania” nuk erdhi rastësisht. Ai pasqyron mënyrën unike se si u ekspozua arkitektura: si në një dyqan disqesh vinili, ku secili projekt shoqërohej me tingujt e vendit ku ndodhet. Adelina Greca, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Territorit, shpjegoi konceptin e krijimit.

GREGOR HOHEISEL: SHQIPËRIA, YLLI I RI I ARKITEKTURËS BOTËRORE

Ndërkohë, kuratori i pavijonit “Soundscapes of Albania”, arkitekti i njohur nga Zelanda e Re, Gregor Hoheisel, rrëfeu për TV Klan filozofinë pas stendës, ndërsa e sheh Shqipërinë si “yllin e ardhshëm” të sektorit të pasurive të paluajtshme.

“Ajo që po ndodh në Shqipëri është shumë e veçantë. Bota e ka vënë re, të paktën të gjithë miqtë e mi arkitektë dhe zhvillues e kanë vënë re se ka kaq shumë zhvillim, kaq shumë mundësi dhe është me të vërtetë ylli i ardhshëm. Shqipëria shquhet për cilësinë arkitekturore që prodhohet tani. Është vërtet e mahnitshme që arkitektura përdoret për të ndërtuar identitetin dhe pikën e ardhshme të shitjes së një vendi.”

Projektet me të cilat u prezantua Shqipëria në panairin më të madh ndërkombëtar për pasuritë e paluajtshme mbajnë vulën e arkitektëve më të famshëm botërorë, duke arritur një standard modern që harmonizon në mënyrë të përsosur të gjithë komponentët me mjedisin përreth. Veçanërisht, projektet në jug bien në sy për mënyrën se si ruajnë perlën e bregdetit shqiptar, duke i dhënë jetë zonës përmes një harmonie të rrallë mes ndërhyrjeve arkitekturore dhe natyrës, duke krijuar fleksibilitet për qytetarët dhe duke forcuar imazhin e Shqipërisë si destinacion lider në rajon.

Shqipëria në MIPIM 2026, një magnet për investitorët dhe arkitektët ndërkombëtarë

Për të dytin vit radhazi, Shqipëria mori pjesë në MIPIM, panairin më të rëndësishëm ndërkombëtar të pasurive të paluajtshme në Kanë të Francës.

Kjo pjesëmarrje dëshmon se vendi ynë ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit urban dhe arkitektonik, duke kombinuar me sukses vizionin arkitekturor me mundësitë reale të biznesit përmes projekteve konkrete.

Pavijoni shqiptar ka reflektuar nivelin e zhvillimit dhe mundësitë e biznesit në vend, nga bregdeti te qytetet kryesore. Drejtoresha Ekzekutive e Korporatës së Investimeve Shqiptare, Elira Kokona, ka prezantuar detajet e projekteve.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve ndërkombëtarë është modeli inovativ i zhvillimit, ku projektet mbartin dy vlera të rëndësishme: nga njëra anë, një vizion modern arkitektonik dhe urban, dhe nga ana tjetër, gjenerimin e të ardhurave të konsiderueshme për shtetin, të cilat investohen direkt në të mira publike.

Me një vizion të qartë dhe projekte konkrete që po marrin jetë, Shqipëria po dëshmon se është gati të bëhet një pikë referimi për zhvillimin e qëndrueshëm dhe cilësor në zemër të Evropës.

Arkitektët e huaj për Shqipërinë: “Ylli i ri i Mesdheut”

Shqipëria në MIPIM 2026: Një vizion zhvillimi që tërheq vëmendjen e botës

Prania e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar MIPIM 2026 në Kanë të Francës ka shënuar një moment historik për vendin tonë. Mbi 80 projekte të prezantuara në pavijonin shqiptar dhe një konstatim i përbashkët nga arkitektët më të famshëm ndërkombëtarë: Shqipëria po shndërrohet në “yllin e ri të Mesdheut”, një destinacion që po kalon një transformim të shpejtë duke ruajtur ekuilibrin thelbësor midis zhvillimit dhe respektit për natyrën.

Arkitektët e njohur spanjollë, belgë e italianë, të pranishëm në pavijonin shqiptar, kanë qenë unanimë në vlerësimin e tyre për potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë. Ajo që ka mbetur në memorien e tyre është pozicioni gjeografik strategjik i Shqipërisë në Mesdhe, stabiliteti ligjor dhe qeveritar, por mbi të gjitha, vizioni për një zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm që synon krijimin e një turizmi gjithëvjeçar dhe strukturave të përgatitura për sfidat klimatike të së ardhmes.

Arkitekti Flavio Tejada Gorraiz e ka renditur pavijonin shqiptar në tre më të mirët e panairit. Ai e lidh këtë sukses me bashkimin e të gjithë aktorëve – zhvilluesve dhe administratës – në një qëllim të përbashkët për ecjen përpara të vendit.

Për të, suksesi i Shqipërisë qëndron te rëndësia që i kushtohet arkitekturës dhe dizajnit, duke sjellë disa nga projektuesit më të mirë në Evropë dhe në botë. Ai thekson se arkitektura mund të transformojë cilësinë e jetës dhe të vendit në tërësi. Gorraiz e sheh Shqipërinë në momentin e duhur historik për të zhvilluar një model të qëndrueshëm investimesh, duke marrë mësimet nga përvojat e vendeve të tjera mesdhetare.

Ai vlerëson se cilësia e peizazheve është pjesë e ADN-së shqiptare dhe duhet të mbetet në qendër të çdo zhvillimi arkitektonik. Por ajo që e veçon Shqipërinë, sipas tij, është bashkëpunimi i ngushtë mes sektorit privat dhe atij publik, duke shmangur qasjet konfrontuese që shihen në vende të tjera. Ai vlerëson veçanërisht modelin e partneritetit me arkitektët dhe inxhinierët vendas, duke e cilësuar atë si një shkëmbim të vlefshëm njohurish, ku të dyja palët mësojnë nga njëra-tjetra.

FRANCISCO LUQUE: “STABILITET LIGJOR DHE MUNDËSI FANTASTIKE PËR INVESTITORËT”

Arkitekti Francisco Luque nga Madridi, i pranishëm në MIPIM 2026 me projekte në Himarë dhe Tiranë, e sheh Shqipërinë si një destinacion të jashtëzakonshëm për investime. Ai e krahason potencialin e vendit tonë me atë të Turqisë 10–15 vjet më parë, duke theksuar se Shqipëria ofron një mundësi fantastike për investitorët e huaj falë stabilitetit ligjor.

Ajo që e veçon Shqipërinë, sipas tij, është integrimi i mahnitshëm i zhvillimeve me natyrën, pa qenë agresive. Ai thekson se në ditët e sotme nuk ka shumë vende si Shqipëria për sa i përket aftësisë për të bërë investime të qëndrueshme në asete rezidenciale, mikpritëse dhe komerciale.

GIUSEPPE FARRIS: “KUR PEIZAZHI BËHET SKENË”

Arkitekti belg me origjinë italiane, Giuseppe Farris, i pranishëm në MIPIM 2026 me një projekt në Vlorë, e përshkruan qytetin bregdetar si një vend fantastik, ku peizazhi bëhet skena dhe frymëzimi kryesor. Ai e sheh të ardhmen e Shqipërisë jo si një premtim, por si diçka që tashmë po ndodh – një energji e jashtëzakonshme arkitekturore, ku talentet vendase dhe ndërkombëtare punojnë së bashku për të kontribuar në territorin shqiptar.

Farris e sheh këtë si një mundësi të jashtëzakonshme për Evropën dhe botën për të parë se kjo është e mundur.

Një element kyç që ka tërhequr vëmendjen e arkitektëve të huaj është fryma e bashkëpunimit midis sektorit privat dhe atij publik, si dhe partneriteti i suksesshëm midis arkitektëve të huaj dhe atyre vendas. Ky shkëmbim i vlefshëm dijeje po e kthen Shqipërinë në një laborator të gjallë të arkitekturës bashkëkohore evropiane.

Edhe arkitektët shqiptarë e shohin këtë bashkëpunim si një përvojë të jashtëzakonshme. Ata theksojnë se kontributi i tyre lokal është i pazëvendësueshëm për të përcjellë tek të huajt kontekstin, kulturën dhe specifikat e territorit shqiptar. Kjo sinergji nuk ka sjellë vetëm rritje të cilësisë së ndërtimeve, por ka ndikuar pozitivisht duke krijuar një standard të ri jetese dhe duke e bërë Shqipërinë gjithnjë e më konkurruese në arenën ndërkombëtare.

/tvklan.al