” Pro Business” një emision nga Oljana Maloku në Tv Klan.

Midis prodhimit tradicional të mjaltit dhe varësisë nga importet

Falë pasurisë natyrore, florës së shumëllojshme dhe klimës ideale, Shqipëria vazhdon të shquhet si një nga prodhuesit më të njohur të mjaltit cilësor në rajon.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vetëm në vitin 2023, vendi ka regjistruar rreth 519 mijë koshere bletësh nga veriu në jug, me një rritje prodhimi prej 80% gjatë pesë viteve të fundit. Kjo tregon një dinamikë pozitive, ku bletarët vendas duke përdorur metoda tradicionale dhe duke shmangur kimikatet, garantojnë një produkt të pastër dhe me standarde të larta.

Nga njëra anë, Shqipëria po bën hapa për të zënë vend në tregjet e huaja. Sipas INSTAT, në vitin 2024 u eksportuan 20 ton mjaltë natyral drejt vendeve të ndryshme, një tregues i vogël, por premtues. Nga ana tjetër, varësia nga importet mbetet shqetësuese: 70 ton mjaltë u importuan gjatë të njëjtit vit, gjë që reflekton kërkesën e pandërprerë vendase për këtë produkt, por edhe mungesën e kapaciteteve për të kaluar nga konsumi lokal në eksporte masive.

Megjithëse tradita dhe natyra janë aktet kryesore të bletarisë shqiptare, nevoja për certifikime ndërkombëtare, investime në teknologji dhe një strategji eksporti më agresive mbeten hapa të domosdoshëm.

Nga ana tjetër nëse ndalemi në produktin vendas, zonat më të njohura për prodhimin e mjaltit janë Mali i Tomorit i njohur për mjaltin e pastër të livandës dhe luleve të egra. Lugina e Vjosës shquhet për mjaltin e shumëllojshëm të luleve, ndërsa Dibra dhe Korça për mjaltin e blirit.

Llogaraja dhe zona bregdetare, për mjaltin e sherbelës, një nga më të kërkuarit edhe për eksport. Por, edhe Rajonet e Lezhës, Pukës, Tropoja apo Përmeti kanë një florë të pasur çka krijon mundësinë për prodhimin e mjaltit cilësor.

Sfidat e Bletarisë Shqiptare dhe Pozitat e Ekspertëve

Sektori i bletarisë në Shqipëri, pavarësisht rritjes së numrit të koshereve dhe familjeve të bletëve, përballet me një sërë sfidash komplekse. Nga këto, klimatiket dalin si njëra nga pengesat më kritike. Për emisionin “Pro Bussines” në Tv Klan, Vitor Malutaj, kryetari i Shoqatës së Bletarëve të Shqipërisë, dhe Ervis Mema, sekretari i Shoqatës së Bletërritësve të Tiranës, vërejnë se thatësirat e ashpra, reshjet e dendura dhe breshëri jo vetëm zbutin shëndetin e bletëve, por ulin ndjeshëm rendimentin e mjaltit natyral.

Malutaj thekson edhe një problematikë tjetër, mungesën e studimeve të thelluara për transferimin e kolonive të bletëve midis rajoneve, një praktikë që pa një analizë shkencore, mund të çojë në destabilizim të ekosistemeve lokale.

Në aspektin e cilësisë së mjaltit, të dy ekspertët janë dakord që përgjegjësia bie tek bletarët individualë, por vëmendje të veçantë kërkon kontaminimi i mjedisit nga pesticidet dhe kimikatet.

Ervis Mema paralajmëron se, pavarësisht përdorimit më të ulët të pesticideve në Shqipëri krahasuar me BE-në, ekzistojnë zona ku abuzimi me substanca të dëmshme në frutikulturë kontaminon lulëzimin dhe rrjedhimisht mjaltin.

Ai kërkon zbatimin e protokolleve strikte dhe përdorimin e pesticideve “miqësore me mjedisin”, ndërsa Vitor Malutaj shton se farmacitë bujqësore shpesh shesin produkte të palicensuara që helmojnë bletët, duke kërkuar kontroll më rigoroz.

Një pengesë tjetër madhore është mungesa e standardeve të harmonizuara me BE-në. Malutaj shpjegon se, pavarësisht mundësive të mjaltit shqiptar, mungesa e certifikimeve dhe protokolleve të njësuara e bën të pamundur hyrjen në tregjet europiane.

Ndërsa subvencionet aktuale  konsiderohen të pamjaftueshme për të mbështetur fermerët me shkallë të mesme, Ervis Mema kërkon që qeveria të rishikojë kriteret, duke ulur pragun e subvencionimit për të përfshirë më shumë bletarë

Mjalti shqiptar shumë shpejt në tregjet e BE

Sektori i bletarisë shqiptare po bën hapa të shpejtë drejt modernizimit dhe integrimit me tregjet evropiane. I ftuar në emisionin “Pro Business” në Tv Klan,  Ali Lilo shefi i Sektorit të Veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë, theksoi rritjen e këtij sektori, subvencionet dhe sfidat që ballafaqohen me bletarët.

Sipas Lilos, Shqipëria ka aktualisht 16 mijë bletarë të regjistruar në sistemin elektronik të ministrisë, me një total prej 587 mijë kosheresh.

 “Krahasuar me 2022-2023, numri i koshereve u rrit me 8%, ndërsa në 2024 rritja është 13.5%”, tha Lilo.

Ministria e Bujqësisë po subvencionon aktivisht bletarët me 1,000 lekë për koshere, një politikë që ka mbuluar 75% të familjeve të bletëve në vitin 2024.

“Nga 460 mijë koshere të subvencionuara këtë vit, 100% e aplikantëve të përzgjedhur kanë marrë fondet”, shtoi Lilo.

Edhe pse eksportet aktuale (23 tonë) drejtohen në vende jo-EU, Shqipëria është në fazën përfundimtare për të hyrë në tregjet evropiane.

 “Kemi kërkuar një listim në BE dhe presim auditime të hollësishme. Kontrollet e rrepta për pesticide dhe bashkëpunimi me laboratore referencë të BE-së janë hapat kryesorë për të kaluar këtë prag”, tha Ali Lilo.

Me ligjin e ri të miratuar në maj 2024, Shqipëria po harmonizon standardet me ato të BE-së. Ndryshimet klimatike po godasin rëndë, veçanërisht dimri i ashpër i 2024-ës, i cili ka shkaktuar vonesa në aktivitetin e bletëve.

 Si ta njihni mjaltin origjinal?

“Mjalti i pastër ka lagështi maksimale 15%, aromë specifike, dhe nuk përmban shtesa”, kujtoi Lilo.“Konsumatorët duhet të kërkojnë etiketa të autorizuara nga AKU dhe të jenë të vetëdijshëm për rreziqet e mjaltit pa dokumentacion.”

Synimi i ardhshëm: BE si treg prioritet.

“Me rezultatet e monitorimit të 2024, besoj se do të jemi gati për BE shumë shpejt. Një eksport i suksesshëm në BE do të hapë porte të reja ekonomike, duke e bërë Shqipërinë një konkurrent serioz në tregun ndërkombëtar të mjaltit organik”, përfundoi Lilo.

/tvklan.al