Raiffeisen Leasing – 20 vjet financim dhe partneritet për rritje
Për dy dekada me radhë, ekonomia shqiptare ka pësuar një transformim të thellë, ku institucionet financiare nuk janë më thjesht dhënës kredie, por motorë të vërtetë zhvillimi. Në këtë peizazh, leasing-u është shfaqur si një alternativë strategjike, duke u ofruar bizneseve mundësinë të investojnë pa penguar likuiditetin e tyre të përditshëm. Raiffeisen Leasing, gjatë 20 viteve në Shqipëri, ka qenë pjesë aktive e këtij zhvillimi. Ajo ka financuar dhe mbështetur bizneset vendase, ka kontribuar në modernizimin e tregut të leasing-ut në vend dhe ka ndihmuar në uljen e pengesave financiare për sipërmarrësit shqiptarë.
Fillimet në këtë treg nuk kanë qenë të lehta. Produkti i leasing-ut, ose i qirasë financiare, ishte pak i njohur për publikun. Përveç punës për të financuar klientët, Raiffeisen Leasing duhej të bënte një punë të madhe për edukimin e tregut dhe njohjen e përfitimeve të këtij instrumenti. Por me kalimin e viteve, tregu u strukturuar. Sot ka disa kompani leasing në treg, klientët janë më të informuar, kërkesat e tyre janë më të larta dhe ata presin shërbim më të mirë, më të shpejtë dhe më fleksibël.
Në fillim, kur flitej për leasing, të gjithë mendonin vetëm për makinat. Por tregu ka evoluar dhe me të edhe nevojat e bizneseve shqiptare. Sot fushëveprimi i leasing-ut është zgjeruar shumë më tepër. Raiffeisen Leasing finançon jo vetëm makina, por edhe mjete për industrinë e ndërtimit, kamionë, fadroma, pajisje mjekësore, sisteme ajrimi dhe kondicionimi, poltona, dentishtë, printera – pra çdo aset që ka një numër identifikimi të regjistrueshëm. Kur klientët informohen për këtë gamë të gjerë financimesh, ata shpesh habiten, dhe kjo ka ndihmuar Raiffeisen Leasing të zgjerojë portofolin e saj ndër vite.
Ajo që e ka mbajtur Raiffeisen Leasing lider në treg për 20 vjet është besueshmëria që klientët kanë tek institucioni. Një rol kryesor luan edhe stafi profesional, i cili ka qenë aty që dita e parë dhe është rritur bashkë me kompaninë. Korrektësia, shpejtësia dhe afërsia me klientin e bëjnë Raiffeisen Leasing një institucion të qëndrueshëm dhe të besueshëm. Sfidat kanë qenë të shumta, duke përfshirë edhe momente të vështira në tregun financiar, por përshtatja e vazhdueshme e shërbimeve me kërkesat e tregut i ka kaluar këto sfida me sukses.
Pas suksesit të Raiffeisen Leasing qëndron një staf profesional dhe një organizim i brendshëm i mirë. Kompania është e strukturuar me të gjitha departamentet e nevojshme për t’i shërbyer klientit sa më shpejt. Eksperienca e stafit dhe fleksibiliteti bëjnë të mundur përgjigjen në kohë ndaj kërkesave të klientëve. Drejtoresha Ekzekutive, Ida Shehu nw njw intervistw pwr Pro Business nw Tv Klan, thekson se puna në ekip është ajo që sjell suksesin.
Një nga momentet më emocionuese të këtij rrugëtimi 20-vjeçar është kalimi te gjenerata e dytë e klientëve. Në vitet e para, kryefamiljarët merrnin financim për makinën. Pas tre-katër vitesh, ishte prindi tjetër që merrte një makinë. Ndërkohë tani, Raiffeisen Leasing po finançon makina për fëmijët e atyre klientëve të parë. Në anën e bizneseve, historitë e suksesit lidhen kryesisht me turizmin dhe kompanitë e rent-a-car. Kompani që kanë filluar me një numër të kufizuar makinash dhe vlera të vogla, sot kanë arritur të rritin flotën e tyre në mbi 100 makina dhe i shërbejnë sektorit të turizmit. Këto janë histori suksesi ku Raiffeisen Leasing ndihet krenare që ka qenë partner në rritjen e këtyre bizneseve.
Në shifra, Raiffeisen Leasing ka financuar pothuajse 300 milionë euro në qiranë financiare, me një numër kontratash rreth 6.700-6.800 dhe rreth 3.500 klientë. Individët janë më të shumtë në numër, por korporatat zënë peshën më të madhe në vlerën e financimit, pasi ato marrin investime për infrastrukturë dhe industri të përpunimit. Në pesë-gjashtë vitet e fundit, kompania ka dyfishuar portofolin e saj, duke treguar një ecuri shumë të mirë dhe optimizëm për të ardhmen.
Për sa i përket destinimit të financimeve, individët kërkojnë kryesisht makina, ndërsa segmenti i korporatave financon mjete infrastrukture si kamionë dhe fadroma, të cilat janë të nevojshme për industrinë e ndërtimit. Raiffeisen Leasing e vlerëson veten si lider në tregun shqiptar të leasing-ut dhe synon të vazhdojë në këtë drejtim.
E ardhmja e leasing-ut në Shqipëri, sipas Raiffeisen Leasing, ka dy fjalë kyçe: rritje dhe teknologji. Kompania ka objektiva rritjeje bashkë me ekonominë shqiptare dhe po investon shumë në dixhitalizim, për ta bërë jetën e klientëve më fleksibël dhe më të lehtë. Nëpërmjet aplikacioneve, klientët mund të shikojnë këstin, datën e pagesës dhe të bëjnë pagesa online. Procesi për t’u bërë klient është i thjeshtë: vlerësohen të ardhurat dhe shpenzimet financiare, pa pasur nevojë për kolaterale shtesë.
Vizioni i Raiffeisen Leasing për të ardhmen është të mbetet një institucion i besueshëm financiar, që ndihmon klientët dhe zhvillon stafin, duke kontribuar kështu në zhvillimin e të gjithë tregut financiar në Shqipëri dhe në ekonominë e vendit. Pas 20 vitesh histori suksesi, Raiffeisen Leasing falenderon të gjithë klientët dhe stafin për kontributin e tyre dhe synon vazhdimësinë edhe më tej.
“Dyfisho sipërmarrjen tënde” – Programi i qeverisë që lehtëson aksesin në kredi për bizneset shqiptare
Në një intervistë ekskluzive për emisionin Pro Business në TV Klan, Zv/Ministri i Financave, z. Endrit Yzeiraj, shpjegoi në detaje programin më të ri të qeverisë shqiptare me titull “Dyfisho sipërmarrjen tënde”. Ky program synon të mbështesë kategoritë e shumta të bizneseve, duke u ofruar atyre mundësi konkrete financimi për t’u rritur dhe për t’u bërë më konkurruese.
Në thelb, programi nuk ofron fonde të qeverisë falas, por lehtëson aftësinë e bizneseve shqiptare për të marrë kredi nga sistemi financiar. Qeveria shqiptare garanton një pjesë të kredisë për sistemin bankar, duke ulur rrezikun e tij në raport me sektorin privat. Në praktikë, kjo do të thotë që sipërmarrësit me një ide ose projekt të mirë mund t’i drejtohen bankave për të marrë një kredi me norma interesi që variojnë nga 2 deri në 3%, në varësi të garancisë që ofron shteti për atë sektor. Programi synon posaçërisht të ndihmojë aksesin e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme në sistemin bankar shqiptar.
Ky program është në një farë mënyre një zgjerim i skemës së garancisë sovrane për bujqësinë, e cila ka shërbyer si një pilot për testimin e këtij lloj instrumenti financiar. Tani, instrumenti është zgjeruar për të mbuluar thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, gjithmonë me disa kufizime kryesore: përfshihen vetëm bizneset mikro, të vogla dhe të mesme (jo bizneset e mëdha), dhe qëllimi i investimit duhet të jetë rritja e produktivitetit, jo kapitali qarkullues apo blerja e truallit.
Qeveria ka qenë shumë dorëlëshuar duke e hapur programin për të gjithë sektorët e ekonomisë, por investimi duhet të sjellë një kapacitet të ri prodhimi, një linjë të re teknologjie, një përmirësim në kapacitetet logjistike, ose ta bëjë biznesin më produktiv. Pra, çdokush që ka një ide të mirë dhe një plan biznesi që synon të investojë në sipërmarrjen e tij, ka shumë gjasa të jetë pjesë e programit.
Në këtë proces, bankat luajnë një rol thelbësor. Qeveria nuk është e aftë të bëjë modelim rreziku, ta menaxhojë atë, apo të vlerësojë aplikimet e kredisë. Këtë detyrë do ta vazhdojë të luajë sistemi bankar. Duke ulur rrezikun me të cilin bankat ekspozohen përballë sektorit privat, qeveria i bën ato më të gatshme për të financuar, duke ulur gjithashtu normën e interesit. Garancia nuk shkon më shumë se 70%, duke lejuar sistemin bankar të mbajë një pjesë të rrezikut (30% ose pak më shumë), pra duke pasur interes të bëjë një filtrim të saktë të çdo aplikimi.
Një element tjetër i rëndësishëm i këtij programi është mbështetja me grante për hartimin e planeve të biznesit, e cila do të miratohet nëpërmjet një VKM-je. Lider i këtij procesi është Ministria e Ekonomisë. Megjithatë, aftësia për të shkruar plane biznesi të sakta mbetet një aftësi që biznesi shqiptar duhet ta zhvillojë, dhe programi është thjesht një mënyrë për ta lehtësuar këtë interaksion.
Sa i përket startup-eve dhe bizneseve në fazën fillestare, bankave u është lënë një dorë relativisht e lirë në vlerësimin e projekteve. Për të mbështetur startup-et, qeveria shqiptare nëpërmjet Agjencisë së Startupeve ka një linjë tjetër specifike që ofron grante. Por bankat kanë lirinë, nëse shohin një program të mirë, të kreditojnë edhe biznese fare të vogla me zero ose një punonjës. Pak më të favorizuar do të jenë sektorët si inovacioni, teknologjia dhe dixhitalizimi.
Duke iu përgjigjur hezitimit të sipërmarrësve për shkak të mungesës së financimit, z. Yzeiraj theksoi se problemi kryesor deri më tani ka qenë mungesa e kolateralit, pasi bankat kërkojnë kolateral fizik. Me këtë lloj garancie, hapësira dhe mundësia e bizneseve për të përfituar kredi është jashtëzakonisht më e lehtë. Gjithashtu, vlera maksimale e kredisë është rritur nga 2ë0 mijë euro (për bujqësinë) në 2 milionë euro, për të mundësuar investime të rëndësishme, sidomos në kapacitete dixhitale dhe teknologjike.
Duke iu përgjigjur skeptikëve që thonë se garancitë sovrane mbeten vetëm në letër, z. Yzeiraj solli shembullin e skemës së garancisë sovrane në bujqësi. Ajo hyri në fuqi në fund të korrikut të vitit të kaluar dhe filloi të funksionojë në dy muajt e fundit të vitit 202ë deri në çerekun e parë të 2026, duke përdorur gati një të tretën e skemës. Interesi për skemën e re ka qenë jashtëzakonisht i lartë, ndërsa sektorët e tjerë janë shumë më të gatshëm se bujqësia, e cila ka probleme unike si mungesa e formalizimit dhe problemet me titujt e pronësisë.
Në pyetjen e fundit nëse ekziston rreziku që bizneset të futen në borxhe të reja pa pasur një treg mjaftueshëm për zgjerim, z. Yzeiraj deklaroi se problemi nuk është mungesa e tregut, por konkurrenca evropiane. Frika e tij më e madhe, dhe e shumë sipërmarrjeve, është aftësia e bizneseve shqiptare për të konkuruar nesër në tregun e përbashkët evropian dhe për t’u përballur me konkurrencën jashtëzakonisht të madhe. Problemi kryesor mbetet aftësia e biznesit shqiptar për t’u përballur me konkurrencën evropiane.
/tvklan.al












Botërori 2026 