Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, në fjalën e saj sot në 10 prill, pas mbledhjes së qeverisë tha se Këshilli i Ministrave ka vendosur që të financojë më shumë për programet pas mësimit.

Kumbaro njoftoi se në vazhdim të ndryshimeve ligjore të muajit mars, një vendim i ri i Këshillit të Ministrave mbështet zgjatjen e kohës së qëndrimit në shkollë që kombinon programin e detyrueshëm me aktivitetet në kuadër të programit “Pas Shkolle” dhe për këtë arsye, është vendosur dyfishimi i honorarit me të cilin shpërblehen orët jashtë programit mësimor të detyruar, duke e çuar në 1000 lekë për një orë nga 500 lekë që ishte e parashikuar, si dhe duke e hapur listën e bashkëpunimit përtej mësuesve të shkollave, me mësues në pension, ekspertë e specialistë të arteve, zejeve, etj.

“Kjo pjesë e programit duhet të mbështetet financiarisht, kjo është arsyeja pse sot Këshilli i Ministrave do të dyfishojë honorarin me të cilin shpërblehen këto orë jashtë mësimit të detyruara në shifrën 10 mijë lekë të vjetra për orë, për 60 minuta. Ishte e parashikuar 5 dhe kemi mbërritur në 10.

Jo vetëm kaq, por ne hapin listën e bashkëpunëtorëve me mësuesit që janë brenda sistemit shkollor, të cilët pasi kanë kryer orët e detyrueshëm dhe ndoshta nuk kanë energjinë e duhur për të vazhduar edhe dy tre orë të tjera, por e hapim këtë listë, tashmë me këtë vendim për mësues që janë në pension, që janë aktiv dhe kanë dëshirë të jenë pjesë e këtij programi, për specialist të ndryshëm të arteve, të muzikës për artizanë”, tha ministrja Kumbaro, duke bërë një ftesë për të gjithë figurat e arsimit, artit, sportit që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë program.

/tvklan.al