“Mendoni dhe ne kur flisnim në këtë sallë”.
Thirrjet e kësaj vajze të vogël që mori drejtimin e seancës plenare për pak minuta, në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, u duartrokitën nga deputetët por nuk u morën në konsideratë.
Parlamenti në ditën më të rëndësishme të vitit, prezantimi i buxhetit, u bë pasqyra e përjavshme e debateve me akuza, sharje, klithma e përjashtime.
Projektbuxheti solli kryeministrin për herë të parë pas seancës disa-minutëshe ku mori votëbesimin kabineti i tij. Por deputetët e opozitës, në shenjë injorimi ndaj tij, i kthyen shpinën, gjë që nuk u konsiderua si fyerje nga Rama, përkundrazi.
Rama, i sapokthyer nga Brukseli ku u hap edhe grupkapitulli i fundit i negociatave, iu tha se në zemrën e Europës, ndryshe nga çfarë e akuzojnë opozitarët në Tiranë, vlerësojnë luftën ndaj korrupsionit.
“Ata mendojnë se si sot korrupsioni nuk është luftuar ndonjëherë në historinë e këtij vendi“.
E komentin për akuzat për tunelin e Llogarasë nuk e la me kaq.
“Për sa i përket tunelit të Llogarasë, dua të them se ai 50 milionëshi është si 450 milionëshi i inceneratorëve dhe , pikërisht pse drejtësia është e pavarur, shqiptarët i referohen drejtësisë dhe nuk i referohen atyre që duan të bëjnë prokurorin rrugëve dhe që pastaj kur dalin në rrugë, mbeten kashtë e kokrra”.
Si përgjigje për një tjetër akuzë të opozitës, bazuar mbi gjetjet e një raporti të OLAF-it për bujqësinë, solli shembuj të ngjashëm me fondet në këtë sektor mes vendeve anëtare të BE-së.
“Shuma e vendosur nga OLAF-i përpara vendeve të tjera është mbi 1 miliard euro të keqadministruara”.
Rama i konsideron gënjeshtra akuzat e demokratëve për atë që quajnë taksë e korrupsionit që vendosin qeveritarët.
Sipas Ramës, votuesit e dinë realitetin që nuk është ai që shfaqet në pasqyrën e opozitës dhe për këtë arsye i ndëshkojnë dhe vlerësojnë reformën në drejtësi, që është meritë ekskluzive e Partisë Socialiste.
“Parafytyrojeni vetëm për një moment se si do ta përplasnin për muri drejtësinë e pavarur ata që për momentin dhe për një kohë të gjatë do të vazhdojnë të përplasin vetëm veten”.
Kryeministri u ndal edhe te çdo zë i buxhetit për vitin e ardhshëm, por mori më shumë kohë për të sqaruar paqen fiskale.
Oponencën kryeministrit, që la sallën sapo mbaroi fjalën, ia bëri kreu i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, që i kujtoi Ramës se po bënte avokatin e zv.kryeministres.
Mes shumë akuzave për Ramën dhe Ballukun, Gazmend Bardhi shpjegoi votën kundër buxhetit të vitit të ardhshëm, për të cilin socialistët krenohen se është më i madhi në historinë e vendit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 