Arqile Koça, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për rivlerësimin kalimtar. KPK bëri të ditur në fillim të seancës dëgjimore se për prokurorin Koça është hetuar në tre kriteret, kontrolli i pasurisë, kontrolli i figurës, vlerësimi profesional.

Në raportin e ILDKP, konstatohet se Koça ka deklarim  të saktë të pasurisë në përputhje me ligjin, e justifikon pasurinë, nuk ka fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë dhe nuk ka konflikt interesi.

KPK ka kryer një hetim tjetër për pasuritë, 2 apartamente dhe dy garazhe të përfituara nga një shoqëri private. Gjatë hetimit, rezultoi se subjekti nuk ka qenë në konflikt interesi me shoqërinë private dhe nuk është favorizuar prej saj.

Në lidhje me pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një raport me konstatimin se subjekti Arqile Koça ka plotësuar saktë formularin dhe është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Sa i takon kriterit të tretë, sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ka rezultuar se prokurori Arqile Koça ka treguar aftësi profesionale, nivel të lartë etike dhe angazhim profesional. /abcnews.al