Prokurori i komunizmit shpëtoi nga pushkatimi familjen Syka, çfarë i kërkoi Enver Hoxhës

Prokurori i komunizmit shpëtoi nga pushkatimi familjen Syka, çfarë i kërkoi Enver Hoxhës

18:10 28/02/2020

Në emisionin “Historia Ime” nga Mirela Milori në Tv Klan, sot është trajtuar historia e një familjeje që në kohën e Mbretit Zog ka qenë e pasur, por me ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste gjithçka do të ndryshonte për ta.

Bëhet fjalë për familjen Syku nga Bregu i Matës në Lezhë. Pasuria e tyre do të sekuestrohej, familja do të merrte titullin ‘kulakë’ dhe do të përndiqeshin me qëllimin për t’u eliminuar nga sistemi i asaj kohe. Por dikush, me pozitë në atë kohë nuk e lejoi këtë gjë.

Në studion e “Historia Ime” në Tv Klan, ishte e ftuar Roza Syku, vajza e Pashk Sykut. Familja e saj u akuzua për takim me diversantët në kohën e komunizmit dhe u dënuan me pushkatim. Por, për fat të mirë, babai i saj kishte një mik me influencë, një prokuror në Tiranë, të quajtur Shahin Tare.

Babai i Shahin Tares përndiqej në kohën e Mbretit Zog dhe ishte strehuar e fshehur nga Dedë Syku, babai i Pashk Sykut. Kështu, Shahin Tare do të duhej që t’i kthente nderin.

Në këtë mënyrë, për shkak të pozitës që kishte si prokuror, ai takohet me diktatorin Enver Hoxha, dhe i kërkon që familja Syku të mos dënohet me pushkatim. Për ta bindur, prokuror Shahini i tregon historinë e babait të tij në kohën e Mbretit Zog.

“Një shok i tij nga Gurëzi i thotë njoh unë një mik të madh në Tiranë që më ka bërë dhe mua një nder, edhe do shkojmë. Dhe shkojnë bashkë me atë edhe një kushëri timin. Ata të dy qëndruan jashtë, kurse babi hyri në zyrën e Shahinit. I thonë kush jeni ju edhe nga vini. Babi thotë jam Pashk Dedë Syku, vij nga Bregu i Matës, Lezhë. Kur ka dëgjuar Dedë Syku, është çuar në këmbë dhe i ka përqafuar. Babi ka ngelur, ka thënë ç’është ky përqafim. I tha, ti nuk e di, por do shkosh në shtëpi, do shkruash krejt biografinë e fisit tënd e do ma sjellësh, pastaj do flasim. Babi ka shkuar në shtëpi, ka mbledhur gjithë të mëdhenjtë e fisit, kanë bërë biografinë dhe ja ka sjellë. Ka shkuar vetëm herën tjetër. E ka lexuar ai biografinë, i thotë është e tëra këtu? Po, i thotë babi. Jo, ke harruar gjënë më të rëndësishme. Çfarë? Sepse shumë vite më parë, në kohën e Zogut, Dedë Marash Syku për 6 muaj i ka shërbyer babait tim. Si ka mundësi, i thotë babi, unë nuk e di. Babi e dinte se dikush ishte strehuar në familje, por se ishte pikërisht babai i Shahinit, jo.

Në atë kohë, merr në telefon bashkëshorten Shahini, i thotë përgatit drekë se do vij me mikun më të madh të familjes. Nuk i tregon gjë. Kur shkon në shtëpi babi, ulen në tavolinë, edhe thotë tani do të të tregoj komplet siç ka qenë historia. Në atë kohë kur babi shkon, kishte një hall. Ai ja zgjidh hallin që kishte. I kishin marrë tokën, prodhimin e tokës pa asnjë kompensim. Gjithçka u rregullua.

Pastaj vjen një periudhë tjetër që ka qenë një periudhë shumë e errët për ne, që ikën një kushëri në Amerikë. Një i Sigurimit të Shtetit, i dërguar nga këtu, shkon e mbledh shqiptarët në Amerikë, gjasme se është dashamirës. Kushëririt i thotë në qoftë se ti do të ndihmosh familjen, fol te Zëri i Amerikës për të mirën e familjes. Ai flet, tregon historinë e vetë se si ka ikur, aventurat e tij, si është shpërngulur në SHBA, pakënaqësinë që ishte këtu, duke menduar se po i bën mirë familjes. Vetë Sigurimi i Shtetit, e dinte që do të dëgjohej në radio, shtyn njerëzit që të dëgjohet.

Vetëm arrestime, u arrestuan disa persona. Në momentin që babi shikon arrestimet, vrap në Tiranë te Shahini. Dhe i thotë jemi në rrezik, nuk e di çfarë ka ndodhur. Se nuk e dinte babi pse ndodh kjo gjë. Shahini, që ishte në Gjykatën e Lartë, e verifikon, e sheh, dhe i thotë ata janë kapur tani. Por është në rrezik gjithë fisi. Ndërhyn direkt te Enver Hoxha. Gjëja e parë që i thotë Enverit ishte, që fisi Syku më kanë shpëtuar jetën e babait në kohën e Zogut. Në një situatë të tillë është shumë e vështirë të ndërhyhet, por ja del. Enver Hoxha sheh me gjërat e tij. A keni vëlla guximtar, i thotë Shahini babit. Duhet t’i shkruani një letër Gjykatës së Lezhës. Problemi ishte që ishin të burgosur, dënimi i tyre ishte me pushkatim me nenin ‘takim me diversantët’. Po, i thotë babi, kam Palin.

E shkruan në emër të xhaxhait letrën që unë hyj garant që këta nuk janë takuar me diversantë, është një e padrejtë që i bëhet edhe ja çojnë kryetarit të degës së Lezhës. Një kopje ja jep babi që ta mbajë Pali, xhaxhai, që ta dijë se çfarë është shkruar. Kur e merr kryetari i degës letrën, i çojnë fjalën xhaxhait që do vish për zbor në Zejmen. Shkon xhaxhai, vjen kryetari i degës, e marrin në një dhomë më vete dhe e kërcënon. Mor ti kulak, të më shkruash mua letër? I thotë çfarë kërkon ti? Kërkoj pafajësinë e tyre, sepse nuk janë takuar me diversantë”.

Falë ndërhyrjes që bëri prokurori Shahini, familjarët e arrestuar të fisit Syku nuk u dënuan me pushkatim, por me 8 vite burgim. /tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi