Kryeprokurori Olsian Çela kundërshton Kodin e ri Penal. Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme thotë se propozimet duhet të ishin një nevojë reale për shkak të evoluimit të vlerave shoqërore dhe përshtatjes me ndryshimet e vrullshme në nivel global, në shumë aspekte. Sipas Çelës, rrezikohet të minohet funksionimi i drejtësisë.

“Mungesa e këtij procesi përbën një gabim fatal strukturor në ngritjen e kësaj ngrehine, që në vend se të ishte produkt i një rrjedhe të natyrshme institucionale dhe shoqërore si domosdoshmëri historike, në fakt nuk përfaqëson më shumë se një veprim të nxituar që rrezikon të minojë në mënyrë të pariparueshme mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në vend.”

Një tjetër kritikë e kryeprokurorit është se drafti sjell konfuzion tek magjistratët.

“Nisur edhe nga produkti i sjellë për diskutim, unë vlerësoj se ai do të sillte shumë konfuzion tek magjistratët në aplikimin e normave dhe krijon premisat për interpretime tërësisht të ndryshme të tyre në raste të ngjashme.”

Një tjetër problematikë, sipas Olsian Çelës, është tendenca represive që mund të kriminalizojë individin.

“Fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve.”

Kryeprokurori Olsian Çela thotë në reagimin zyrtar se ashpërsimi i dënimeve me burgim nuk është zgjidhja e vetme dhe më e mirë për morinë e problemeve që kalon vendi, në një kohë që kemi një nga kodet me dënime nga më të ashpra në nivel evropian.

Çela e mbyll reagimin e tij duke theksuar se më tepër se për një Kod të Ri Penal, sot vendi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, për të korrigjuar gjërat që po shkojnë keq në funksionimin e tij dhe për të lehtësuar proceset nga burokracitë e panevojshme, që po ndikojnë në zvarritjen e hetimeve dhe gjykimeve.

Tv Klan

/tvklan.al