Avokati mbrojtës i presidentit të “Partizanit” tha se do t’i drejtohet edhe një herë Gjykatës së Tiranës për rivlerësimin e masës së arrestit të klientit të tij dhe nëse ndesh të njëjtin qëndrim do të formulojë kërkesën për në apel. Megjithëse kanë kaluar katër ditë nga arrestimi i presidentit të “Partizanit” Albert Xhani, Prokuroria e Tiranës ende nuk i ka komunikuar zyrtarisht, as atij dhe as avokatit mbrojtës Braka, akuzën e dytë për të cilën tërhoqi dosjen e parë nga Gjykata e Tiranës. Akuza për shpërdorim detyre iu shtua asaj të tjetërsimit të pasurisë për të cilin zoti Xhani nisi hetimin gjyqësor në gjendje të lirë. Tërheqja e dosjes dhe nxitimi për të shtuar akuzën e dytë ka lënë plot boshllëqe juridike të cilat nuk u morën në konsideratë nga gjyqtarja Alma Bejte, e cila la në fuqi urdhër-arrestin që kishte nënshkruar po vetë. Procesi farsë në Gjykatën e Tiranës vërtetoi edhe një herë se arrestimi i presidentit të “Partizanit” nuk është gjë tjetër veçse një gjueti shtrigash që ka filluar ndaj biznesit. Asnjë provë e qënësishme dhe asnjë argument i fortë nuk po është në gjendje të servirë prokuroria për të justifikuar nevojën e arrestimit të Albert Xhanit. Zelli i prokurorisë për të vendosur prangat mbi biznesmenët përballë impotencës për të zbuluar ata që vrasin biznesmenët në mes të qytetit është dëshmia më e qartë se vetë drejtësia po shndërrohet në biznes. /tvklan.al