Prokuroria e Tiranës kërkon vendosjen e sekuestros preventive të agjensive “Mikro Kredit Albania” dhe “Final”. Ato po hetohen për 2 vepra penale: mashtrim me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim dhe pastrim parash.

Prokuroria në njoftimin zyrtar thotë se nga hetimet ka rezultuar se këto dy subjekte në bashkëpunim me disa shoqëri përmbaruese kanë krijuar një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve

“Kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve apo debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme. Kanë përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefonatave të vazhdueshme me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive.”

Prokuroria e Tiranës thotë së nëpërmjet mashtrimeve kanë përllogaritur detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore. Më pas nëpërmjet mbaruesve u sekuestroheshin llogaritë bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik. Në pamundësi për shlyerjen e detyrimeve, këtyre qytetarëve u janë sekuestruar pronat e paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur. Këto pasuri i kanë kaluar në ankande me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave.

Sipas prokurorisë, të gjitha këto veprime janë kryer me qëllim për të detyruar debitorët të merrnin kredi të reja, me interes shumë të lartë, për të shlyer kreditë e mbartura.

Si rrjedhojë thotë organi i akuzës, shoqëritë ‘Mikro Credit Albania’ dhe ‘Final’ kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në 10-tra milion Euro, para dhe prona të cilat i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera.

Klan News