Gati 10 muaj pas vrasjes së policit Novruz Cenalia në Fier, Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka çuar dosjen për gjykim për autorin e dyshuar të ngjarjes.
Mbi Azgan Mërnicën rëndojnë tri akuza: ajo e vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit, mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve si dhe drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 13 Maj të vitit të shkuar në fshatin Baltëz të Fierit. Polici i Shqiponjave Cenalia ishte duke shkuar në punë kur ka vënë re që autori u fut me shpejtësi në një kthesë dhe i ka tërhequr vëmendjen për mënyrë e drejtimit të mjetit.
Dy të rinjtë kanë dalë nga makinat dhe kanë debatuar me njëri tjetrin. Në sherr e sipër Mërnica ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të tij. 28-vjeçari mori një plumb në kokë dhe humbi jetën në vend.
Pas ngjarjes, i riu u arratis dhe policia kreu disa ditë kërkime për kapjen e tij. Pas disa ditëve në arrati Azgan Mërnica vendosi të dorëzohej pas komunikimeve të vazhdueshme të uniformave blu me familjarë të tij.
Klan News