LVV: Emri do t’i dërgohet në ditët në vijim

Vazhdimi i negociatave ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë arsyeja që ka shtyrë kryesinë e LVV-së që të vendosë të mos e dërgojë emrin e mandatarit të ri në afatin e caktuar nga Presidenti.

Pas mbledhjes së kryesisë, nënkryetarja e partisë Arbërie Nagavci ka thënë se emri i mandatarit, presidentit do t’i dërgohet ditëve në vazhdim. Ndërkohë zyra e presidentit ka zgjedhur heshtjen.

Burime nga Presidenca bëjnë me dije se Thaçi gjatë kësaj jave pritet të ndërmarrë veprime të tjera bazuar në Kushtetutë, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i krijimit të qeverisë së re.

Derisa negociatat ndërmjet LVV-së dhe LDK-së kanë vazhduar edhe sot, por pa ndonjë rezultat.

U tha se ka lëvizje pozitive dhe se ato do të vazhdojnë edhe nesër. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe tre muaj pas zgjedhjeve ende nuk kanë gjetur një formulë të përbashkët për të bashkëqeverisur.

Tv Klan