Nisma kërkon përdorimin e tyre deri në 2027

Qeveria propozon zgjatjen e afatit të bonove të privatizimit deri në 2027-n, afati i së cilave përfundoi në Dhjetor të vitit që lamë pas. Përmes një nisme të deputetes socialiste Antoneta Dhima, kjo zhvendosje në kohë e afateve argumentohet me faktin se ka ka ende hapësirë për t’i përdorur ato.

Aktualisht, një numër i konsiderueshëm i objekteve që administrohen nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, organet e pushtetit vendor etj, nuk janë privatizuar ende.

Shumë prej këtyre objekteve shtrihen në tokat e pronarëve të ligjshëm, të cilëve u është njohur apo kthyer prona me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave.

Sipas deputetes Dhima, duke qenë se pronarët e trojeve kanë të drejtën e parablerjes së objekteve që ngrihen mbi to, kjo masë do t’i ndihmojë ata për të likuiduar një pjesë të vlerës së këtyre objekteve me bono apo lekë privatizimi.

Në privatizimin e objekteve shtetërore të dhëna me kontratë qiraje apo enfiteozë kur këto objekte u shiten drejtpërdrejt qiramarrësve, të cilët mund të paguajnë deri në 80% të vlerës me bono apo lekë privatizimi.

Tv Klan