Nisi si një seancë e qetë, por pas akuzave të Sali Berishës në adresë të maxhorancës, përshkallëzoi në tension mes palëve.
Në kundërpërgjigje të akuzave, Taulant Balla akuzoi demokratët për dhunë në protestën e 10 shkurtit.
Por Sali Berisha vijoi thirrjet ndaj qytetarëve për tubimin e radhës.

Mes tensioneve në sallë, Taulant Balla kërkoi ndërprerjen e seancës dhe daljen në mënyrë urgjente të Kuvendit me një deklaratë të përbashkët kundër aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Hagës ndaj krerëve të UÇK-së.

Sali Berisha i dha përgjigje jashtë Kuvendit, teksa Niko Peleshi, për shkak të bllokimit të foltores nga demokratët, ndërpreu për 5 minuta seancën plenare.

“Përdorimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së nga një kriminel ordinere si mburojë është akt i shëmtuar. Unë kam shprehur pikëpamjet e mia lidhur me atë proces, por kjo tregon sa të ultë janë këta dhe çfarë janë të gatshëm të bëjnë për të mbrojtur vjedhjet e tyre. Nëse do të ishte serioze, kjo nuk ngrihej kur deputetët e opozitës kërkonin mandatin e Lubi Ballukut. Kjo u ngrit si një mënyrë për të kaluar çështjen e mandateve,” tha ai.

Rinisja e seancës e gjeti sërish në foltore Sali Berishën, i gatshëm për të replikuar me deputetët e maxhorancës, që e akuzuan për korrupsion dhe gjuhë seksiste.

Tv Klan

/tvklan.al