Raportim Live

Berisha del nga spitali i Traumës: Kanë gjuajtur si kafshë një 18 vjeçar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është prononcuar për gazetarët pas daljes nga Spitali i Traumës, ku ka vizituar dy protestues të lënduar. Ai theksoi se një 18 vjeçar është tërhequr zvarrë nga efektivët e Policisë.

“Dy të rinj janë me kontuzion trunor, për shkak se njëri prej tyre, 18 vjeçar e kanë gjuajtur si kafshë me këpucë në kokë, me shkelm, për asnjë lloj motivi, veçse për ta marrë me forcë në makinën e tyre, tek po largohej nga protesta.

Është në gjendje kontuzioni, me një hematomë serioze. Mjekët po bëjnë përpjekjet dhe po e kontrollojnë. Do ti bëjnë skaner, për të parë shkallën e dëmtimit, nëse është vetëm në inde të buta apo dhe kocka. Por sidoqoftë është me kontuzion trunor.

Kurse tjetri, e patë, e filmuat është një protestues që qëllohet me snajper nga mbrapa kokës në mes të rrugës dhe bie pa ndjenja. Një kriminel me uniformë, gazin nuk do që ta hedhë në rrugë, por do të ja gjuajë në kokë. Siç ka bërë njëlloj me këtë dhe këtij i kanë krijuar, nga rrëzimi dhe goditja, është me një kontuzion serioz cerebral. Trunor dhe ky.

Të njëjtën gjë, duke gjuajtur me snajper, me bombola, kanë qëlluar Luçiano Boçin, të cilit i ka rënë në trup bombola direkt nga arma me të cilën hidhet dhe e ka kapur për ta larguar dhe i ka djegur gishtat e njërës dorë, djegie më shumë se të shkallës së dytë”, tha kryedemokrati, duke shtuar se dënon qëndrimin kriminal të Policisë ndaj protestuesve paqësorë.

Policët i quajti “rrugeçër” që do të përballen me pasoja serioze.

Çfarë ndodhi pranë xhamisë? Noka përplaset me dy persona

Në videot e mëposhtme, shihet një moment përplasjeje fizike mes deputetit Flamur Noka dhe dy qytetarëve që sipas tij “janë policë të maskuar si civilë që prekin qytetarët”.

Dëgjohen sharje e ofendime, ndërsa forcat policore nuk e neutralizojnë dot shpejt situatën.

download app

Bardhi: Luçiano Boçi u lëndua në protestë. Përplaset me policinë

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka dhe kreu i Grupit Parlamentar demokrat Gazment Bardhi janë përplasur me policinë. Ata pretendojnë se efektivët civilë arrestojnë demokratë, kur këta të fundit dalin nga selia blu. Bardhi njoftoi dhe lëndimin në protestë të Luçiano Boçit.

“Çdo protestues arrestohet nga banditë, që janë civilë, që kanë marrë demokratë. Janë mbi 40 të lënduar. Luçiano Boçi është lënduar, po merr mjekim dhe besoj se do të kthehet në seli”, deklaroi ai.

Gurët në çantë?! Sa persona u shoqëruan në komisariat

Teksa pritet që Policia të dalë me njoftim zyrtar lidhur me protestën, gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, raportoi se “në komisariat janë shoqëruar rreth 41 persona”.

“Dyshohet se kanë kryer akte dhune, pritet që numri të ndryshojë”, bëri me dije ai.

“Janë hedhur gurë në drejtim të poicëve, ndërsa efektivët kanë shpërndarë turmën me gaz lotsjellës”, tha gazetari.

“Ka pasur persona që kanë sjellë çanta me gurë, përveç molotovëve!”

Kandidatja e PD shfaqet me plagë në ballë: Ambulanca u vonua për një orë

Senada Mehmeti, ish-kandidate për deputete e PD-së, është shfaqur me plagë në ballë, pasi tha se është goditur në tubim.

“Kur më goditën, nuk u ndjeva mirë. Po përpiqesha të gjej një zgjidhje. M’u gjend pranë Bardh Spahia, që është edhe doctor e më dha ndihmën e parë. Ambulanca u vonua për një orë. Dhuna ka për qëllim që të ndalojë protestat. Por ne protestat do i vazhdojmë. Mesazhi im është ky: Rinia duhet të qëndrojë në Shqipëri për një vend me shqiptarë”, deklaroi ajo.

“I vraftë Zoti”/ Berisha: Banditët me uniformë hodhën  gaz në xhami, do përgjigjen

Kreu i PD-së Sali Berisha në fjalën e tij përmbyllëse në protestën e Partisë Demokratike tha se banditë me uniformë hodhën gaz në xhami. Ai deklaroi se këta njerëz, që bëjnë të tilla akte ndaj xhamsië, duhet t’i vrasë Zoti.

“Bandit me uniformë kanë hedhur bombola gazi dhe tymuese në xhami, në një kohë kur besimtarët po faleshin, këta xhelatë e mbushën xhaminë me gaz lotsjellës. Zoti i vraftë për këtë krim të shëmtuar. Janë pasardhës të etërve të tyre barbarë. Ju bëj thirrje besimtarëve myslimanë të dënojnë këtë akt të shëmtuar dhe i garantoj se kryengritja jonë paqësore nuk do ndalet. Ne do përballemi me kundërshtarin, që besimtarët mos prishin namazin”, tha ai.

Berisha apel Ramës: Hiq dorë nga sulmet ndaj selisë, nuk tolerojmë!

Kreu i PD-së, pati një mesazh për protestuesit, pas daljes nga selia blu.

“Mirënjohjen më të pakufishme ju, qytetarëve, burrave dhe grave, të rinjve e të rejave që sot me 20 shkurt, përsëritët në një formë apo në një tjetër, 20 shkurtin e vitit 1991. Natyrisht, nëse shtatorja e satanit në piedestalin e saj në sheshin Skënderbej, busti i pasardhësit të tij, nuk ndodhej as në Shqipëri.

Por kjo nuk ju pengoi për të dëshmuar vendosmërinë më të madhe. Nuk ju pengoi për t’u përballur dhëmbë për dhëmbë me falanga krimi që përdorët mjetet më të paligjshme kundër kryengritësve paqësorë”, tha ai.

Më tej, u ndal te incidenti lidhur me demokraten Senada Mehmeti apo sipas tij, “goditja pas koke, bombat shurdhuese ndaj mbështetësve të PD-së”.

E quajti të paprecedentë “përshkallëzimin e Edi Ramës ndaj protestuesve paqësorë”.

“Hodhën bombula gazi në territorin e Partisë Demokratike. Është sulmuar selia e PD-së, si hakmarrje. I jap fjalën e nderit se në rast se guxon të sulmojë këtë seli, i them Edi Ramës, është mundim i madh për ne të përmbajmë qytetarët dhe sulmet e tyre ndaj selive të krimit. Janë të gatshëm në çdo moment për t’i bërë të paqena. Prandaj urrejtjen atërore që ke ndaj pluralizmit, mos e shpreh duke gjuajtur bomba tymi dhe bombula gazi në seli! Ne nuk të tolerojmë!”, ishte apeli i tij për kreun e qeverisë.

Noka: Besimtarët u masakruan si bagëti!

“E gjitha kjo që patë është një përpëlitje e narko-regjimit sepse e ndjejnë fundin. Ju e dini më mirë se kushdo, bisha kur është e plagosur, sillet si e tërbuar!”, kështu u shpreh pas incidenteve, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.

Ai hodhi akuza në drejtim të Kreut të Policisë së Shtetit dhe Sokol Bizhgës.

“Dy qenër të tërbuar të narko-padronit!”, tha Noka.

E bëri të qartë se “asgjë nuk e ndalon revoltën qytetare”.

“Besimtarët u masakruan si bagëti në therrtore”, shtoi ai, duke pretenduar se është hedhur gaz lotsjellës në Xhaminë e Namazgjasë.

Bardhi: U hodh gaz lotsjellës brenda Xhamisë së Namazgjasë

“Hedhja “e gazit lotsjellës brenda xhamisë, në një moment kur nuk ka asnjë protestues, përbën një akt të rëndë dhe të papranueshëm. Është një cenim i hapur i lirisë së besimit dhe një përpjekje brutale për të penguar besimtarët myslimanë të kryejnë ritet e tyre pas iftarit.

E dënoj me forcën më të madhe këtë veprim, që i ngjan praktikave të një regjimi represiv dhe bie ndesh me çdo standard demokratik.

Sot, 35 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit, është e papranueshme që në këtë vend të përdoren metodat diktatoriale të regjimit komunist. Bustin e rrëzuam 3 dekada më parë, prandaj frikën dhe dhunën nuk do t’i lejojmë të ngrihen sërish”, reagimi i kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi.



“Dhunë përsëri”, Koçiu reagon sërish për protestën e PD-së

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka reaguar sërish për protestën e PD-së. Koçiu shprehet se qytetarët po shikojnë dhunë sërish. Sipas saj, të djegësh institucionet nuk është vlerë qytetare, por vandalizëm. lexo më shumë