Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestën sot në 7 qershor.

Rama ka publikuar një fotografi të protestuesve pranë bregdetit. Kryeministri shton se më shumë se fjalët që thonë protestuesit, ata largojnë flamingot me veprimet që bëjnë. Kreu i qeverisë deklaron se protestuesit e bënë pis natyrën me makinat e tyre, që kishin parkuar shumë pranë bregut të detit.

Një kritikë e kishte edhe për protestën e mbrëmshme, duke thënë se protestuesit e kanë lënë vendin të papastër, me kanaçe birre në bulevard.

Postimi i kryeministrit Edi Rama

MIRËMËNGJES

dhe me një lutje të përulur revolucionarëve, që kur të shkojnë herë tjetër në atë breg për t’u qarë hallin flamingove, të mos i bëjnë për të qarë duke ua zhvirgjëruar plazhin me makinat e tyre – se do kujtojnë të shkretët zogj se filloi ndërtimi i parkimit aty, e do marrin arratinë siç e kishin marrë përpara moratoriumit 10 vjeçar të gjuetisë – po t’i lënë rrotat tek rruga automobilistike e të ecin si flamingo deri tek buza e detit pa u trembur nga papastërtitë, por mundësisht pa i shtuar ato si dje që i kishin lënë mbrapa kanoçet e birrës, ju uroj të gjithëve një të diel të qetë

Protesta për Zvërnecin, reagon sërish Rama: Po me Paketën e Maleve ç’kanë flamingot?

Kryeministri ka reaguar edhe njëherë për protestën për projektin në Zvërnec.

Rama shprehet se nuk mund t’ju thuash qytetarëve që të mos investojnë në tokat e të parëve të tyre.

Kreu i qeverisë deklaron se ata që duan të investojnë në kuadër të Paketës së Maleve nuk e marrin dot certifikatën e pronësisë sipas ligjit 7501, sepse i kanë ndarë tokat mes vetes.  

“Po me Paketën e Maleve ç’kanë Flamingot e Bulevardit apo edhe ata që kanë tokat e trashëguara në Shqipërinë malore nuk duhet ta gëzojnë pronën e tyre, duke zhvilluar një agroturizëm, një punishte agropërpunimi, një fermë?!

Sot, ata nuk marrin çertifikatë me 7501-shin, se e kanë ndarë mesveti tokën sipas kufijve të vjetër dhe nuk e kanë pranuar asnjëherë 7501-shin, po duke mos pasur çertifikatë s’marrin dot as leje, as subvencione nga shteti, as financime nga fondet e BE-së, as kredi nga bankat.

Ndërsa Paketa e Maleve, e cila është zgjidhje e formësuar në vite që ka mbështetjen e tyre dhe po tërheq mijëra emigrantë për të investuar në tokën e tyre, mbyll boshllëkun ligjor, hap rrugën e futjes së kursimeve të emigrantëve në Shqipërinë malore dhe fut malet në ekonominë tonë përmes zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.

Ah, zonat e mbrojtura, natyra, po, natyra, pemët dhe shqiponjat që do t’i shpëtojë revolucioni imagjinar, duke anulluar Paketën e Maleve

Po Austria?

Kur flitet për zhvillimin në zonat e mbrojtura, shpesh krijohet përshtypja sikur zgjedhja është e prerë me thikë:

Ose natyrë.

Ose zhvillim.

Po në fakt, zonat e mbrojtura ndahen me kategori të ndryshme dhe kanë nivele të ndryshme mbrojtjeje, nga kategoria I ku ndërtimi përjashtohet totalisht tek për shembull kategoria V, si në pjesën gadishullore të Zvërnecit, ku qysh nga ligji i 2017-ës është e qartë se mund të ndërtohet me kushte të caktuara.

Alpet Austriake janë ndër peizazhet më të mbrojtura dhe më të qendisura në Europë. Brenda dhe përreth zonave të mbrojtura përgjatë tyre gjenden qindra fshatra alpine, hotele, resorte, teleferikë, qendra skijimi, shtigje turistike dhe infrastrukturë moderne që tërheqin miliona vizitorë çdo vit.

Rajone si Tiroli apo destinacione si Kitzbühel janë kthyer kaherë në marka globale të turizmit malor.

Megjithatë, askush nuk e thotë dot kurrë se Austria sakrifikoi Alpet për turizmin. Përkundrazi. Austria ndërtoi turizmin për Alpet.

Ata njerëz të mençuar e kuptuan nga të parët se peizazhi nuk ishte pengesë për zhvillimin, po ishte vetë themeli i zhvillimit.

Prandaj modeli austriak nuk ishte kurrë: “Mos ndërtoni asgjë.”

Por ishte:

“Ndërtoni me kujdes.

Ndërtoni me cilësi.

Ndërtoni aty ku duhet.

Mbroni atë që është e pazëvendësueshme.”

Sot turizmi gjeneron miliarda euro çdo vit për ekonominë austriake dhe mbështet qindra mijëra vende pune, ndërsa Austria mbetet një nga vendet me standardet më të larta të mbrojtjes së natyrës në Europë.

Pyetja nuk është nëse natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë.

Pyetja është nëse kemi vizionin, dijen dhe disiplinën për t’i bërë ata aleatë të njëri-tjetrit, duke rritur qëndrueshmërinë mjedisore të vendit dhe ekonominë shqiptare falë një turizmi cilësor me të ardhura të larta.

Sepse kur natyra trajtohet si pasuria më e madhe e një vendi, ajo nuk mbrohet duke e izoluar nga ekonomia, po duke e kthyer në zemrën e ekonomisë.

Prandaj, e përsëris:

BUDALLALLËKU QË E KA MBAJTUR SHQIPËRINË PENG 100 VJET, S’KA PËR TA NDALUR DOT TË VAZHDOJË RRUGËN E NISUR PËR TA FUTUR KËTË VEND NË LIGËN E KAMPIONËVE TË TURIZMIT BOTËROR“, shkruan kreu i qeverisë.

Rama: Camargue në Francë destinacion ndërkombëtar turizmi, parajsë biodiversiteti

Kryeministri Edi Rama përmes një statusi në Facebook ka dhënë një tjetër shembull në botë, sesi bukuria natyrore mund të bashkohet me zhvillimin.

Kreu i qeverisë deklaron se Camargue në Francë është një destinacion ndërkombëtar turizmi, si dhe një parajsë e biodiversitetit. Sipas tij, natyra dhe zhvillimi i turizmit fare mirë mund të shkojnë paralel me njëri-tjetrin.

“Kur flitet për ligatina, laguna dhe zona të mbrojtura, shpesh krijohet përshtypja sikur mënyra e vetme për t’i mbrojtur është t’i shkëpusësh nga jeta ekonomike.

Por Camargue në Francë tregon një histori krejt tjetër.

E vendosur në deltën e lumit Rhône, Camargue është një nga ligatinat më të rëndësishme të Europës. Një peizazh i jashtëzakonshëm me laguna, këneta, dunat bregdetare, kripore, flamingo rozë, kuajt e bardhë të famshëm të Camargue dhe qindra lloje shpendësh.

Një parajsë e biodiversitetit. Por njëkohësisht edhe një motor ekonomik.

Sot Camargue është një destinacion ndërkombëtar me hotele butikë, restorante, marina, turizëm natyror, kalërim, vëzhgim shpendësh, prodhim tradicional të kripës dhe një ekonomi lokale që jeton pikërisht falë peizazhit që ka ruajtur.

Franca nuk e mbrojti Camargue duke e mbajtur qytetërimin larg saj.

E mbrojti duke e bërë të vlefshme për qytetërimin e saj.

Duke kuptuar se natyra nuk është domosdoshmërisht kundërshtare e zhvillimit. Madje ndonjëherë ajo është vetë zhvillimi.

Prandaj sot flamingot janë ende aty.

Lagunat janë ende aty.

Biodiversiteti është ende aty.

Prandaj pyetja nuk është nëse natyra dhe ekonomia mund të bashkëjetojnë.

Pyetja është nëse kemi vizionin për ta kthyer natyrën në një aset të ekonomisë.

Sepse kur peizazhi bëhet pjesë e modelit ekonomik, njerëzit nuk janë më indiferentë dhe shpesh shkatërrues e ndotës të tij.

Kanë interes ta mbrojnë.

Dhe ky është mësimi i vërtetë i Camargue: Nuk zgjodhi mes natyrës dhe zhvillimit, por se gjeti mënyrën që të dyja të fitojnë bashkë”, shkruan Rama.

/tvklan.al