Në të njëjtën orë, por në dy vende të ndryshme, nisën protestat e paralajmëruara për këtë të shtunë në Tiranë. Në mesditë, demokratët u mblodhën përpara Kryeministrisë, ndërsa studentët dhe qytetarët u grumbulluan përpara Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit, e cila është kthyer në simbolin e protestës që nisi më 13 tetor dhe që këtë të shtunë shënoi ditën e 19-të të saj.

Të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe jo nga lideri i tyre, demokratët bënë të qartë se ndodheshin në protestë me të njëjtin qëllim si studentët dhe qytetarët: largimin e Edi Ramës nga pushteti. Por bashkimi i dy protestave nuk u prit mirë nga të rinjtë dhe qytetarët që protestonin përpara Ministrisë së Arsimit.

Pas qëndrimit të shkurtër përpara Kryeministrisë, demokratët iu drejtuan Rrugës së Durrësit, ku u përballën me kundërshtimin e një pjese të protestuesve. Me thirrjet “Rama burg, Berisha burg”, disa prej tyre krijuan një barrierë njerëzore, duke u përpjekur të pengonin bashkimin e dy grupimeve. Situata zgjati disa minuta, derisa protestuesit vijuan qëndrimin së bashku.

Pas kësaj përplasjeje, protesta, e cila deri në ato momente ishte zhvilluar e qetë, nisi të tensionohej. U dogjën kazanë mbeturinash, ndërsa drejt godinës së Ministrisë së Arsimit dhe forcave të rendit u hodhën gurë dhe bomba molotov. Ndryshe nga protestat e mëparshme, policia fillimisht zgjodhi të mos ndërhynte me forcë, duke u përqendruar te thirrjet e vazhdueshme drejtuar protestuesve për t’u distancuar nga dhuna.

Vetëm pas rreth tre orësh qëndrese, policia përdori autobotët me ujë për të shpërndarë turmën, duke i detyruar protestuesit të zhvendoseshin drejt godinës së Kryeministrisë. Edhe aty, situata nisi fillimisht e qetë, por u ndërpre herë pas here nga hedhja e gurëve dhe bombave molotov në drejtim të forcave të rendit. Policia vijoi thirrjet për ndalimin e akteve të dhunshme dhe shpërndarjen e protestuesve.

Momenti që përshkallëzoi situatën dhe solli ndërhyrjen e forcave të policisë ishte rrëzimi i dronit. Pas këtij incidenti, policia vuri në përdorim të pesë mjetet ujëhedhëse, si dhe dy automjetet e reja që i janë vënë në dispozicion forcave të rendit pas nisjes së protestave të dhunshme.

Uji dhe gazi lotsjellës, ky i fundit në sasi relativisht të vogël, bënë që protestuesit të shpërndaheshin në grupe të vogla në rrugët dhe rrugicat e kryeqytetit. Forcat e policisë i ndoqën gjatë lëvizjeve të tyre, por pa raportime për goditje apo shoqërime të protestuesve në përfundim të ndërhyrjes.

/tvklan.al