Këto janë pamjet e trazirave që përfshinë rrugët e Belfastit në Irlandën e Veriut.
Mbi 100 burra të maskuar dhe të pajisur me mjete si shishe, tulla dhe gurë në duar, pushtuan rrugët e qytetit dhe i vunë flakën një banese, disa makinave dhe një autobusi.
Gjatë marshimit nëpër rrugë, ata thyen dritare dhe dyert e banesave të zonës.
Njëzëri protestuesit bënë thirrje për largimin e njerëzve me ngjyrë nga vendi.
Shkak për këtë shpërthim dhune u bë një sulm i rëndë me mjet prerës i raportuar të hënën në mbrëmje, ku një burrë rreth të 40-ave mbeti i plagosur rëndë, me plagë të shumta në fytyrë.
Për këtë ngjarje, policia e Irlandës së Veriut arrestoi një shtetas sudanez 30-vjeçar, nën dyshimin për tentativë vrasjeje.
Pamjet e sulmit u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur thirrje të menjëhershme për demonstrata.
Reagimet kanë qenë të menjëhershme edhe nga politikanët, ku kryeministri britanik, Keir Starmer e cilësoi incidentin si të pështirë.
Ndonëse autoritetet konfirmuan se ngjarja aktualisht nuk po trajtohet si një akt terrorist, kjo nuk parandaloi përshkallëzimin e situatës në terren.
Policia e Irlandës së Veriut ka shtuar patrullat dhe ka bërë thirrje të përsëritura për qetësi, duke paralajmëruar kundër rishfaqjes së trazirave të dhunshme anti-imigrantëve.
Megjithatë, tensionet mbeten tejet të larta në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Partitë populiste kanë shfrytëzuar situatën për të akuzuar sistemin aktual të imigracionit se po lejon hyrjen e personave të rrezikshëm në vend.
Kjo valë revolte nuk u ndal vetëm në Belfast. Në qendër të Londrës, rreth 40 mbështetës të së djathtës ekstreme u mblodhën në një protestë paralele, duke thirrur parulla kundër imigracionit në shenjë solidariteti dhe reagimi ndaj ngjarjeve në Irlandën e Veriut.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 