Protestat e studentëve që nisën në Paris disa javë më parë janë përhapur në disa vende të Evropës. Tubime raportohen nga Franca dhe Italia, megjithëse më të vogla në përmasa krahasuar me ato të ditës së shtunë që e kthyen Francën në një arenë të ngjashme me ato të luftës.

Përplasjet lanë pas ndërtesa të shkatërruara, automjete të djegura, biznese të rrënuara dhe rrugë të pakalueshme për shkak të mbeturinave.

Situata më e rëndë u regjistrua në Limoges, ku bashkia e vendosur në një ndërtesë historike mbi 140-vjeçare u shkrumbua plotësisht pasi iu vu zjarri nga protestues të maskuar.

Edhe në Marsejë protestuesit hynë me forcë në bashki duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërsa në Lion dogjën zyrën turistike.

Një numër rekord prej 1800 personash u arrestuan gjatë demonstratave, ndërsa mbi 500 efektivë policie mbetën të plagosur.

Ndërkohë, pamje të ngjashme vijnë nga qendra e famshme e Milanos, Piazza Duomo, ku protestuesit u përleshën me policinë, ndezën zjarre dhe plaçkitën dyqanet.

Për protestat në Francë reagoi edhe presidenti amerikan Trump, i cili i lidhi ato me emigracionin dhe i kërkoi vendit të shtrëngojë kufijtë për të vënë situatën nën kontroll.

Tv Klan

/tvklan.al