Mijëra australianë dolën në rrugë nëpër qytete të ndryshme të vendit, duke kërkuar ndalimin e gjenocidit në Gaza dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Izraelit për mizoritë e kryera ndaj palestinezëve, të cilët po përballen me urinë dhe skamjen e shkaktuar nga bllokada izraelite.
Sipas grupit Palestine Action, më shumë se 40 protesta u zhvilluan të dielën në të gjithë Australi, me pjesëmarrje të madhe në kryeqytetet shtetërore Sydney, Brisbane dhe Melbourne. Organizatorët thanë se rreth 350 mijë persona morën pjesë në të gjithë vendin, përfshirë 50 mijë në Brisbane, megjithëse policia vlerësoi pjesëmarrjen në këtë qytet në rreth 10 mijë persona. Në Sydney dhe Melbourne nuk pati vlerësime zyrtare për numrin e protestuesve.
Në Sydney, organizatori Josh Lees tha se australianët dolën për të “kërkuar fundin e këtij gjenocidi në Gaza dhe për të detyruar qeverinë tonë të vendosë sanksione ndaj Izraelit”, ndërsa protestuesit valëvitnin flamuj palestinezë dhe brohorisnin “Free, free Palestine”.
Protestat vijnë pas tensioneve diplomatike midis Izraelit dhe Australisë, pas vendimit të kryeministrit Anthony Albanese për të njohur një shtet palestinez më 11 gusht. Lëvizja e qeverisë laboriste të Albanese erdhi pas vendeve si Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, që gjithashtu njoftuan planet për njohjen e shtetit palestinez si pjesë e zgjidhjes dy-shtetëshe.
Që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza, më shumë se 62 mijë palestinezë kanë humbur jetën, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte./tvklan.al



















Botërori 2026 
