Mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit të Groenlandës, Nuuk, kundër qëllimeve të Trump për të marrë kontrollin e territorit që vetëqeveriset nën fronin danez. Protestat ishin më të mëdhatë që janë organizuar ndonjëherë në këtë vend.

Protestuesit valëvitën flamurin e tyre kombëtar dhe brohoritën “Groenlanda nuk është në shitje” përballë kërcënimeve në rritje për një pushtim nga SHBA-të. Protesta përfundoi përpara konsullatës amerikane në këtë vend.

Por Trump nuk tërhiqet nga synimi i tij. Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se do të vendosë tarifa për mallrat nga tetë vende evropiane për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj kontrollit amerikan të Groenlandës.

Trump tha se të gjitha produktet nga Danimarka, Suedia, Norvegjia, Franca, Gjermania, Holanda, Finlanda dhe Mbretëria e Bashkuar do t’i nënshtrohen një tarife shtesë prej 10%, e cila mund të rritet në 25% deri në qershor.

Trump ka lënë të hapur edhe mundësinë e ndërhyrjes ushtarake për marrjen e Groenlandës.

Në këtë situatë, pasditen e kësaj të diele do të zhvillohet një takim urgjent i ambasadorëve nga 27 vendet e Bashkimit Evropian. Në fokus do të jetë përgjigjja ndaj tarifave të Trump. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se këto tarifa doganore “do të minonin marrëdhëniet transatlantike”, por sipas saj Europa do të mbetet e bashkuar, e koordinuar dhe e përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin e saj.

TV Klan

/tvklan.al