Imazhi i djeshëm i protestës ku dhjetra prej qytetarëve të pranishëm mbanin në duar silueta flamingo, është një imazh që edhe vetë Edi Rama për të cilit protestuesit kërkojnë dorëheqjen, e pranon se ishte shumë i bukur për tu parë.

Por për të edhe rruga e ferrit është e shtruar me qëllime të mira që gjithësesi ai pranon se ekzistojnë edhe mes protestueseve por që sipas tij janë të pamjaftueshme nëse nuk ekzistojnë faktet dhe arsyeja.

“Qëllimet e mira janë A-ja e domosdoshme për krejt alfabetin e etikës së angazhimit publik. Por rruga e njerëzimit na mëson se qëllimet e mira assesi nuk mjaftojnë. Përkundrazi. Historia është plot me zhvillime të nisura me sloganet më fisnike dhe emocionet më të sinqerta, por të përfunduara në intolerancë, fanatizëm apo shkatërrim, si rezultat i këputjes së lidhjes së perceptimit me realitetin, imagjinatës me faktet dhe shqetësimit me arsyen.Prandaj nëse qëllimet e mira nuk i nënshtrohen provës së fakteve, nëse pasioni për ndryshim nuk drejtohet nga arsyeja dhe nëse bindjet e forta nuk shoqërohen me dëshirën për të dëgjuar, distanca mes mbrojtjes së një parimi, një qëllimi apo një kauze dhe shndërrimit të tyre në dogmë përjashtuese bëhet shumë e shkurtër. Dhe mu kështu, rruga për në ferr nuk shtrohet me qëllime të këqija, por me qëllime të mira që nuk pranojnë të maten me realitetin”, tha Rama.

Edhe pse estetikisht për kryeministrin protesta është brenda shijeve të tij, thotë se po demonstron varfëri mendimi dhe degradim në bullizëm për ata që s’po i bashkohen protestueseve.

Por edhe pse bashkohet dhe thotë se e kupton shqetësimin e protestueseve që i quan Flamingo, kryeministri është i paqartë përse ata nuk duan të dialogojnë dhe po përdoren nga ata që i quan sorra e korba që sipas tij kërkojnë vetëm të marrin peng vendin.

“Unë kam simpati të sinqertë për këdo që në këtë protestë hyri nga alarmi i natyrës në rrezik. Qëllimi i tyre është i mirë. Problemi është se flamingot nuk pranojnë të dëgjojnë faktet, të diskutojnë zgjidhjet dhe të bashkërendojnë forcat me institucionet dhe me burimet serioze të ekspertizës, për të mbrojtur gjithçka duhet duke realizuar projektin e duhur. Kësisoj ata bëhen vegla e sorrave dhe korbave që i kanë rrethuar. Unë i kam dëgjuar flamingot dhe i kuptoj ata. E respektoj pa paragjykim shqetësimin e tyre, pikërisht sepse ka qenë gjithnjë edhe i imi. Ajo që nuk arrij të kuptoj është pse flamingot nuk duan të ndahen nga sorrat që ushqehen me zhurmën, me shpifjen, me teoritë konspirative dhe korbat që me bullizmin e me refuzimin kategorik të çdo fakti, kërkojnë të marrin peng Shqipërinë?!”, tha Rama.

Flamingot  shkruan me siguri kryeministri në postimin e tij nuk e humbasin bukurinë e tyre nëse angazhohen dialog për të ardhmen e zonës dhe zhvillimin e Shqipërisë.

Ndërsa të tjerët, sorrat dhe korbat sipas tij do të vazhdojnë të mbeten të njëjtët që kur Shqipëria fitoi pavarësinë morën rolin e hijes që përndjek Shqipërinë por kësaj here shkruan Rama nuk kanë shans që të shtrojnë një rrugë ferri me qëllimet e mira të flamingove.

/tvklan.al