“Protesta të dhunshme shpërthejnë në Shqipëri lidhur me akuzat për korrupsion ndaj qeverisë”, është titulli me të cilin e ka pasqyruar agjencia e lajmeve Reuters protestën e mbrëmjes së kësaj të marte të opozitës përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit.

“Protestuesit hodhën bomba me benzinë në drejtim të ndërtesës së qeverisë dhe policia u përgjigj me topa uji, në një seri protestash të dhunshme që kërcënojnë qëndrueshmërinë e pushtetit të kryeministrit Edi Rama, të nisur në vitin 2013”, vijon më tej kjo agjenci.

“Dhuna shpërthen në protestën antiqeveritare në kryeqytetin shqiptar” është titulli që hap shkrimin e The Washington Post, i cili flet po ashtu për protestën e opozitës në Shqipëri.

Radioja publike gjermane Deutschlandfunk, në faqen e saj online, shkruan se pati trazira të rënda gjatë protestave në Tiranë, ku u mblodhën mijëra njerëz.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA shkruan: “Molotov ndaj selisë së qeverisë në protestën e opozitës në Shqipëri”.

“Fundi i fjalës së ish-kryeministrit dhe kreut të shtetit, Sali Berisha, ashtu siç ndodhi dy javë më parë, ishte shenja për të sulmuar nga grupet e protestuesve”, shkruhet më tej në artikullin e ANSA-s.

Tv Klan

/tvklan.al