Protesta qytetare që zhvillohej nën masa të larta sigurie jashtë parlamentit u kthye në mollë sherri mes opozitës dhe maxhorancës edhe këtë të enjte në seancë plenare.

Demokratët akuzuan maxhorancën për dhunë ndaj protestuesve dhe kërkuan plotësimin e kërkesave të tyre. Por socialistët thanë se pas tubimit fshihen mercenarë të paguar nga Irani dhe se gazi lotsjellës i përdorur nga policia është i çertifikuar.

“Dënoj egërsinë ndaj protestuesve të narko policisë të falangave të krimit ndaj djemve, vajzave, grave dhe burrave idealistë që nuk iu njohin juve për Kuvend që kërkojnë shkrirjen e kuvendit dhe ju rezervoni armë kimike, lëndë djegës, e i shpallni terroristë këtu”, tha Berisha.

“Konfirmoj që lëndët e përdorura nga Policia e Shtetit janë të certifikuara dhe të përdorura nga forcat policore në vendet e Bashkimit Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Largoni njerëzit me kapuçë që aty para se t’i largojë policia”, tha Lamallari.

“Pse e keni vënë perimetrin deri te Rruga e Elbasanit a thua se kush po hyn? Do të hynit ju. Kostumet tuaja të shtrenjta që keni hall se ua bëjnë pis me vezë mos i përdorni për t’u justifikuar”, tha Bardhi.

“Nuk e mbush dot as nuk e kënaq dot kostumin tim. Doni t’ia plotësoni kërkesat protestuesve plotësoja pra, çoje Saliun në burg”, tha Balla.

“Parafolësi është përfaqësuesi më i shëmtuar i karteleve të drogës, shërbëtori më i shpifur i tyre. Është negociatori i pazarit të votave dhe personazhi i asaj që u quajt b*ndrra, por në fakt b*ndra e vërtetë është parafolësi”, tha Berisha.

“Solidarizim i turpshëm i një partie të përdhunuar nga ajo protestë. Nuk do të tolerojmë që të goditen punonjësit e policisë së shtetit, gjaku i policëve është gjaku i vetë shtetit, kush guxon të ngrejë dorë mbi policët, ka ngritur dorë kundër shtetit”, tha Balla.

Debatet për protestën morën më shumë se 2 orë nga koha parlamentare, ç’ka e detyroi Niko peleshin të ndërpresë për pak minuta seancën plenare dhe të takohej me krerët e grupeve për vijimin normal të punimeve të kuvendit.

Por edhe me rikthimin e seancës plenare protesta dominoi sërish debatin parlamentar.

“Protesta bëhen pafund në këtë vend, por protesta me armë vetëm ju keni bërë. I ke gjuajtur me armë Sali Berisha, hidhni gurin e fshihni dorën”, tha Klosi.

Replikat e njëpasnjëshme të Kryedemokratit me deputetët e maxhorancës u bënë disa herë shkak i tensioneve në sallë, teksa kryeparlamentari Peleshi kërkonte vijimin normal të seancës e cila ka në rend dite 34 çështje për diskutim e miratim.

/tvklan.al