Protestat kundër Izraelit mbushën rrugët në Brooklyn dhe u përshkallëzuan në universitete në të gjithë Shtetet e Bashkuara, ndërsa demonstruesit kërkuan t’i jepet fund viktimave civile në Gaza.

Demostruesit e komunitetit hebre u mblodhën në sheshin kryesor të lagjes së madhe Brooklyn, para shtëpisë së kreut të senatorëve demokratë Chuck Schumer, menjëherë pasi senati votoi miratimin e  ndihmës ushtarake 26 miliardë Dollarëshe për Izraelin.

Protestat në rritje pasojnë arrestimet masive të demonstruesve në disa universitete të Bregut Lindor të SHBA-së ditët e fundit dhe tregojnë një pakënaqësi të thelluar në Shtetet e Bashkuara, historikisht aleati më i rëndësishëm i Izraelit. Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike kritikoi përdorimin e forcës policore duke thënë se ajo minonte lirinë akademike. Të paktën 300 protestues janë arrestuar gjatë tubimeve kundër luftës në Rripin e Gazës të organizuara në Nju Jork nga komuniteti hebre.

Nga ana tjetër Universiteti Columbia ka zgjatur afatin për protestuesit pro-palestinezë për të hequr kampin e tyre nga sheshi kryesor i universitetit. Sipas mediave amerikane nëse tendat nuk hiqen brenda 48 orë autoritetet policore do të ndërhyjnë duke përdorur edhe  forcën.

Ndërkaq agjencia e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar hetime të menjëhershme mbi akuzat e ngritura nga autoritetet palestineze të Rripit të Gazës për gjetjen e 283 trupave në disa varre masive pranë spitalit Nasser të Kan Junusit, që dyshohet se janë vrarë nga ushtria izraelite gjatë ofensivës kundër Hamasit në këtë qytet.

Klan News