Protestat kundër qeverisë iraniane janë përshkallëzuar në ditët e fundit, pasi demonstruesit janë përplasur fizikisht me forcat e sigurisë.

Autoritetet shëndetësore në Teheran, kanë bërë të ditur se dhjetra persona kanë humbur jetën, nga të shtënat me armë zjarri.

Sipas mediave të huaja shumica e viktimave ishin të rinj, përfshirë disa të vrarë jashtë një stacioni policor në veri të Teheranit kur forcat e sigurisë qëlluan me mitraloz protestuesit.

Organizata e të drejtave të njeriut ka deklaruar se shifrat mbeten të paverifikuara, duke theksuar vështirësitë në mbledhjen e të dhënave për shkak të kufizimeve në internet dhe komunikim.

Protestat nisën si reagim ndaj gjendjes së rëndë ekonomike, por më pas u shtrinë në të 31 provincat e vendit, duke bërë thirrje për ndryshime politike.

Pavarësisht se pjesa më e madhe e tubimeve ka qenë paqësore, autoritetet iraniane kanë paralajmëruar masa të ashpra ndaj atyre që i quajnë “vandale”, ndërsa prokuroria në Teheran ka sinjalizuar edhe mundësinë e dënimeve të rënda për protestuesit.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar pasojat që mund të ketë një shtypje e dhunshme e protestave. Teherani deklaron se nuk do të tërhiqet përballë asaj që e konsiderojnë destabilizim.

Klan News

/tvklan.al