Prej tetë muajsh, Serbia po përjeton një valë të pazakontë protestash kundër presidentit Aleksandër Vuçiç.

Pas një manifestimi masiv të shtunën, ku morën pjesë rreth 140 mijë vetë, mijëra qytetarë kanë organizuar bllokime rrugësh në Beograd dhe qytete të tjera të vendit, duke kërkuar lirimin e të rinjve të arrestuar gjatë përplasjeve me policinë. Protestuesit e akuzojnë qeverinë për nxitje të dhunës dhe e konsiderojnë të paligjshme.

Sipas të dhënave zyrtare, 48 efektivë policie janë lënduar gjatë përplasjeve, ndërsa 77 persona janë arrestuar ku 38 prej tyre ndodhen ende në paraburgim.

Vuçiç, ish-ministër i Informacionit gjatë regjimit të Millosheviçit dhe drejtues i partisë së djathtë SNS, e ka dënuar dhunën, duke e interpretuar si një përpjekje për të destabilizuar shtetin.

Autoritetet kanë akuzuar protestuesit se kishin planifikuar veprime të dhunshme për 28 qershorin, ditën simbolike të Betejës së Kosovës, me qëllim “frikësimin e investitorëve të huaj dhe izolimin e vendit”. Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, e cilësoi situatën si “terrorizëm apo fashizëm”.

Lëvizja protestuese nisi më 1 nëntor, pas një tragjedie në Novi Sad, ku shembja e një tavani betoni në stacionin qendror shkaktoi 15 viktima. Pavarësisht investimeve të fundit, ndërtimi rezultoi i pasigurt dhe hetimet zbuluan lidhje me një kompani të afërt me qeverinë kineze, një nga partnerët strategjikë të Serbisë, së bashku me Rusinë dhe Hungarinë.

Protestat kanë sjellë pasoja të dukshme: më 28 janar, dha dorëheqjen kryeministri Milos Vuçeviç, i cili ka qenë për një dekadë kryetar i bashkisë së Novi Sadit. Megjithatë, qytetarët kërkojnë më shumë: fundin e një regjimi që kontrollon mediat publike dhe mbyll organizatat joqeveritare.

Vuçiç ka deklaruar se mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo referendum brenda disa muajsh, por studentët qëndrojnë të vendosur që kjo të ndodhë sa më shpejt, përpara vitit 2027 kur parashikohen zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë, edhe Rusia e ndjek me shqetësim situatën në Beograd. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov shprehu shpresën se gjithçka do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën dhe paralajmëroi Perëndimin të mos ndërhyjë për të nxitur një “revolucion me ngjyra”, siç ndodhi në të kaluarën në vende si Gjeorgjia apo Ukraina./tvklan.al