Kur protesta që synon dorëheqjen e kryeministrit mbyll javën e saj të tretë, socialistët, deputetë e ministra u mblodhën për të analizuar më shumë se punët e tyre situatën e krijuar në një format të zgjeruar në Pallatin e Brigadave.
Në fjalimin e tij që u transmetua live, Edi Rama tha se ishte i vetëdijshëm që mund të zhgënjente shumë edhe mes të tijve, për qëndrimin që do artikulonte e që kishte një metaforë nga fillimi në fund. “Udhëtoi” dhe mori nga mitologjia Odisenë e Homerit për të deklaruar se, njësoj si ai, nuk do t’i dëgjojë sirenat që në Tiranë janë veshur me silueta flamingosh dhe i kërkojnë largimin, por do të vazhdojë me të njëjtën këmbëngulje në zyrën e tij për të arritur destinacionin final, që për Odisenë ishte Itaka dhe për Edi Ramën dhe shumicën e tij është BE-ja.
“…Por kur ka momente të tilla kam shumë kënaqësi të kujtoj një hollësi te Homeri, ku Odiseu afrohet pranë sirenave dhe refuzon që të mos i dëgjojë. Përkundrazi, ai insiston që t’i dëgjojë, sepse vetëm ai që i dëgjon kupton se sa i madh është tundimi në një mënyrë ose në një tjetër. Por ai bën dhe një gjë tjetër. Lidhet shumë fort pas direkut të anijes. Jo se s’ka besim te vetja, por sepse ai nuk e negocion destinacionin. Shqipëria është një vend që sot është në një luftë të madhe me vetveten dhe BE-ja është ‘Itaka’ jonë. Le të këndojnë sirenat, atë punë kanë. Ne kemi punë tjetër. Unë bashkë me ju. Ne kemi detyrë ta çojmë Shqipërinë te ai breg me çdo kusht”.
Atyre që prej tre javësh kërkojnë “Shqipërinë e re” gjithsesi u shpreh gatishmërinë për t’i paraqitur projektin e saj.
“Ah, është edhe një thirrje për një marrëveshje të re, për një Shqipëri të re. Dhe kam parë që ka edhe shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan një Shqipëri të re. Fair enough. Mezi pres që të na e sjellin draftin e Shqipërisë së re të shkruar dhe patjetër jemi gati të bëjmë një marrëveshje të re për një Shqipëri të re, por kam frikë se drafti nuk do të vijë kurrë, sepse Shqipëria e re është njësoj si të gjitha siluetat e flamingove, njërën prej të cilave e mbante Fatos Lubonja”.
Edhe atyre që përsërisin çdo natë poshtë zyrës së tij se “ka mbaruar”, ju kthen përgjigje.
“Dhe për t’i dhënë të gjithë kësaj një kuptim atdhetar, një pathos revolucionar, një parafytyrim epik, aty në sheshin televiziv të algoritmit fillon refreni: “Edi Rama ka mbaruar, ka mbaruar, ka mbaruar”.Mirëpo puna është që ikën mbrëmja dhe vjen mëngjesi. Aty s’ka njeri, sepse sheshi i xhirimeve hapet në mbrëmje. Ndërkohë që unë jam këtu, ne jemi këtu. E nesërmja vjen, pastaj vjen një mbrëmje tjetër dhe një e nesërme tjetër. Vitet ikin, profecia vazhdon, sepse edhe po s’u bë e vërtetë, bëhet virale. Dhe ja ku jemi sot”.
Zbulon se dhe shumë ndër ata që e rrethojnë i kërkojnë të mos flasë dhe shpjegon pse nuk do zgjedhë asnjëherë të heshtë.
“Po unë dhe ju, Partia Socialiste, të ndihemi me faj se vetëm fajtorët nuk flasin, të ndiejmë faj pse mblidhet jo ajo turmë, po pse mblidhet planeti, po të dojë, që të na tregojë dhe të na imponohet në pikën që të na detyrojë që ne të pranojmë të jemi skllevër të algoritmit”.
Algoritmit, Rama në pjesën më të madhe të fjalimit e bëri “tunduesin” kryesor për t’u përfshirë në protestë kategori të ndryshme pjesëmarrësit brenda dhe jashtë vendit, nga ata që urrejnë Donald Trump, tek ata brenda vendit, që duan të rrëzojnë vetë atë, përfshirë ata që ai dhe PS u kanë dhënë poste gjatë 13 viteve qeverisje, duke bërë që një rrahje lokale, të kthehet në një përplasje globale.
“Sa më shumë shikueshmëri, aq më shumë ndikim. Sa më shumë ndikim, aq më shumë pushtet. Mbi kë? Mbi skllevërit e algoritmeve, mbi të gjithë ne. Kjo është arsyeja pse sot protestat nuk zhvillohen vetëm në shesh, por ka nevojë për një shesh thjesht si përfaqësim i një lukunie që proteston në algoritëm. Madje, siç ndodhi këto 20 ditë, sheshi është thjesht një studio televizive e algoritmit. Është vendi ku filmohet materiali për ta ushqyer algoritmin dhe për ta justifikuar atë dhe pikërisht këtu fillon sfida më e madhe e demokracive të sotme. Sa herë e keni dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve nga njerëz që kurrë në jetën e tyre as nuk e kanë imagjinuar që të përzihen me politikë e me protesta, por janë bërë parelinj me shalë edhe me kremra që të shfaqen atje bashkë me shalët dhe kremrat e tyre, sepse është trendi. Po në të gjithë këtë, ata të karrierave janë më qesharakët. Janë qesharakë sepse nuk e kanë marrë vesh akoma që me Partinë Socialiste dhe me ne nuk fitohet duke dalë me lugën e ndryshkur në tregun e karrierave të humbura”.
Shekulli ku jetojmë, sipas Ramës, është proletariati i algoritmit që po rrezikon të ardhmen dhe që po e ushqen edhe protestën me të pavërteta që shiten si fakte jo vetëm nga influencerat me të cilët u mor gjatë, por dhe bashkëmoshatarë të tij që bëjnë luftëra personale.
“Çfarë vlere ka që unë të them: “Nuk kam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë se ka ndodhur në Aruba, nuk kam kërkuar kurrë njeri të shkojë në Aruba”? S’ka asnjë vlerë fare, sepse ndërkohë Aruba është bërë e vërtetë. Është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit, është ricikluar në pafundësi dhe është bërë e vërtetë, siç është bërë e vërtetë që unë jam një “konsumator kokaine”. Kjo është bërë e vërtetë. Por fjala “drogaxhi”, “ik, mor drogaxhi”, “o drogaxhi”, është një refren që mua më ndjek si një “e vërtetë”, siç është “e vërtetë” që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me time shoqe dhe për atësinë e djalit tim. Është “e vërtetë”. Është bërë e vërtetë, çfarëdo që të them unë. Nuk kanë pasur asnjë rëndësi të gjitha letrat që kanë dalë më parë, se si është bërë gjyqi etj. Nuk kanë fare.
Ripërsëriti se protesta në Shqipëri ka bërë bashkë interesa okulte dhe agjentura të huaja, edhe nga vende jo armiqësore, por u kërkon socialistëve të vazhdojnë të mos i dëgjojnë ato sirena, pavarësisht se e vështirë është të mos tundohesh.
“Të tjerët kanë lloj-lloj sponsorësh, por ne nuk kemi punë me asnjë prej tyre në kuptimin që të intimidohemi apo që të kompleksohemi, apo që të përdredhemi, kështu që kjo është rruga më e vështirë dhe, pikërisht sepse është rruga më e vështirë, është rruga ime, e juaja, e jona, e Partisë Socialiste të Shqipërisë”.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 