Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj protestave qytetare që ditën e djeshme zhvilluan tubimin për të 20-të herë radhazi para Kryeministrisë kundër investimit të parashikuar në zonën e Zvërnecit.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kreu i qeverisë i cilësoi organizatorët dhe kritikët si “profetë të rremë” që kërkojnë vetëm rrëzimin e pushtetit përmes manipulimeve. Sipas tij, hapësira publike dhe rrjetet sociale po përdoren për të mbytur të vërtetën përmes përhapjes masive të gënjeshtrave dhe censurimit të fakteve.

“Të gjithë ata të karrierave janë më qesharakët, sepse nuk e kanë marrë vesh akoma që me PS dhe me ne nuk fitohet, duke dalë me lugën e ndryshkur në tregun e karrierave të humbura. Patjetër që algoritmi e ka të domosdoshme të shfaqet te profetët që paralajmërojnë fundin e botës. Për ta, çfarë ndërtohet dhe si ndërtohet, për ata ka rëndësi vetëm se si të shembin. Për ta çdo incident është një revolucion. Sa vjet kemi që i dëgjojmë paralajmëruesit e stuhive, për përmbysjen e kësaj qeverie?! Të jesh pjesë e cunamit është shumë e lehtë sesa të jesh pjesë e zgjidhjes. Aty në sheshin televiziv të algoritmit fillon refreni ‘Edi Rama ka mbaruar’, por problemi është se vjen mëngjesi. Ditët ikin dhe profecia vazhdon, edhe nëse s’bëhet e vërtetë, bëhet reale.”

Rama theksoi se sot sfida më e madhe e demokracisë nuk është më mbrojtja e lirisë së fjalës, por mbrojtja e vetë fakteve nga sulmet online.

“Kemi hyrë në një ferr tjetër social, problemi është pakufishmëria e lirisë së shpërndarjes. Sot nuk ka më nevojë që të censurosh faktet, mjafton që t’i fundosësh. Të krijosh një cikon për vdekjen e gjithë tradhtarëve. Ç’vlerë ka fakti që të flasë, kur është i rrethuar nga gënjeshtrat. Kjo është një situatë e re e kohës sonë, ku fakti dhe gënjeshtra janë dy njësi. Kjo është arsyeja se sot sfidat e demokracisë nuk janë vetëm të mbrojnë lirinë e fjalës, por të mbrojnë faktet, sepse nëse fakti humbet në një hapësirë publike, demokracia nuk është më e vërtetë.”

Ai dënoi gjithashtu dhunën dhe kërcënimet virtuale që u bëhen atyre që mendojnë ndryshe nga protestuesit, duke e quajtur këtë situatë një “ferr social”. Në përfundim, kryeministri ripërsëriti mesazhin se opozita dhe kritikët e tij nuk mund të fitojnë politikisht duke u nisur nga agjenda personale apo “karriera të humbura”.

“Me keq akoma, çfarë kemi parë këto ditë lidhur me ata që nuk kanë ndarë të njëjtin mendim me sheshin e xhirimeve, është një dhunim online, kërcënim. Sfida më e madhe e kësaj kohe është liria e fakteve.”

/tvklan.al