Protestat janë përhapur edhe në qytete të tjera të vendit, ku marshimet e të rinjve janë shoqëruar me tensione, akte dhune dhe përplasje me forcat e policisë.
Situata ka qenë e tensionuar në Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë.
SHKODËR – Situata ishte e tensionuar në Shkodër, ku të rinjtë u grumbulluan dhe goditën me gurë godinën e Bashkisë. Protestuesit dëmtuan edhe ambientet e selisë së Partisë Demokratike, duke thyer derën dhe goditur me gurë xhamat e godinës.
Përplasje të forta mes të rinjve dhe efektivëve të policisë u regjistruan pranë komisariatit. Protestuesit qëlluan me gurë në drejtim të policisë, duke lënë të lënduar një punonjës policie. Gjatë përplasjeve, disa persona u shoqëruan në komisariat.
Protesta në Shkodër nisi që në orët e mëngjesit, pasi studentët bojkotuan fillimisht mësimin në auditore dhe më pas dolën në rrugë. Ata shprehën mbështetjen dhe solidaritetin e tyre me protestuesit në Tiranë.
DURRËS – Tensione të forta u regjistruan edhe në Durrës. Protesta u shoqërua me akte dhune dhe dëmtime të institucioneve publike, duke përshkallëzuar situatën në qytet.
KORÇË – Protestës së nisur fillimisht nga studentët e Fakultetit të Bujqësisë në Korçë iu bashkuan edhe nxënësit e gjimnazit “Raqi Qirinxhi”.
Marshimi u shoqërua me akte dhune. Siç shihet edhe në pamjet e siguruara, të rinjtë shkulën tabelat e rrugëve dhe thyen xhamat e godinës së Drejtorisë Arsimore. Pas përplasjeve të forta me policinë, disa prej protestuesve u shoqëruan në komisariat.
ELBASAN – Edhe në Elbasan, të rinjtë dolën në rrugë për t’iu bashkuar protestave. Marshimi i tyre u shoqërua me akte dhune dhe dëmtime të objekteve të ndryshme.
VLORË – Protestuesit marshuan edhe në rrugët e Vlorës, ku u grumbulluan përpara godinës së Bashkisë. Edhe në këtë qytet, të rinjtë iu bashkuan lëvizjes së protestave, që janë shtrirë në disa qytete të vendit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
