Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë është mbushur sërish mbrëmjen e së premtes nga mijëra qytetarë, të cilët u mblodhën për të kundërshtuar vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në tubimin e organizuar pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së me një total prej 81 vjetësh burgim nga Gjykata Speciale në Hagë, morën pjesë qytetarë të shumtë, përfaqësues politikë, si dhe familjarë të të akuzuarve, ndër ta djali i ish-presidentit Thaçi, fëmijët e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi. Mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së ka paralajmëruar tashmë se do ta apelojë këtë vendim.
Protesta e nisur në sheshin kryesor nën moton “Jo në emrin tim” u shtri më pas në disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit, duke vijuar reagimin qytetar të nisur më herët nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).
Gjatë tubimit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, e cilësoi të papranueshëm aktgjykimin e shpallur në Hagë. “Vendimi i Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së është i papranueshëm dhe i pabazuar në fakte”, tha Bedri Hamza, Kryetar i PDK-së.
Nga ana e tij, kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, kërkoi zhbërjen e këtij vendimi dhe i drejtoi një kërkesë të drejtpërdrejtë kreut të qeverisë.
“Gjykata e Hagës duhet të shfuqizojë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa i kërkoj kryeministrit Albin Kurti të shkarkojë menjëherë ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla”.
Protesta u përmbyll me paraqitjen e katër kërkesave zyrtare drejtuar institucioneve:
Shfuqizimi ose ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara.
Shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Përkrahje e pakufizuar financiare dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të UÇK-së dhe kombit tonë.
Angazhimi i ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë për të mbështetur procesin e apelimit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
