Për të tretën ditë radhazi, protestuesit refuzuan ftesën e kryeministrit Rama për dialog. Ndryshe nga ditët e tjera, protesta e qytetarëve nisi këtë të enjte pranë Kuvendit të Shqipërisë, aty ku po mbahej edhe seanca plenare.

Paralelisht, një grup pedagogësh u mblodhën përpara Universitetit Politeknik. Në emër të 1700 pedagogëve që kanë firmosur deklaratën e Forumit të Dialogut Politik, ata shprehën mbështetjen për protestuesit.

“Si përfaqësues të 1700 pedagogëve që kanë firmosur deklaratën e Forumit të Dialogut Politik, jemi në mbështetje të kërkesave tuaja për një arsim cilësor, për të drejtën tuaj për të ardhmen e kombit, dorëheqjen e Edi Ramës i cili ju ka faturuar kostot më të larta arsimore në rajon, shëndetësi inekzistente dhe ju ka dhënë modelin më të keq të mundshëm se si arsimohet, punësohet dhe jetojnë të rinjtë në Shqipëri. Ndaj ne jemi këtu për të mbështetur kërkesat tuaja që kërkojnë një zgjidhje politike dhe institucionale për krizën që po kalon vendi”, tha Mimoza Manxhari, pedagoge në Universitetin e Tiranës.

Më pas, pedagogët iu bashkuan pjesës tjetër të protestuesve përpara Kuvendit. Një grup protestuesish hoqën hekurat e vendosur në mes të rrugës si barrikadë. Efektivët që ishin në gatishmëri nuk reaguan dhe lejuan hapjen e rrugës.

Edhe përpara Kuvendit, pedagogët që iu bashkuan pjesës tjetër të protestuesve u treguan të vendosur në bojkotin e universiteteve. Pedagogët u shprehën se do të vijojnë protestat e tyre deri në plotësimin e kërkesave. Pasi u zhvendosën nga Parlamenti, prej disa orësh protestuesit vijojnë të qëndrojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.

Tv Klan

/tvklan.al